Ministria e Drejtësisë, e udhëhequr nga Donika Gërvalla, ka publikuar një njoftim në të cilin thuhet se përgjegjësia institucionale nuk delegohet, nuk shtyhet dhe nuk shmanget.
Ky mesazh është pjesë e njoftimit për një takim të mbajtur nga Gërvalla me kryesuesit e Mekanizmave Koordinues Lokalë, në kuadër të konsultimeve për hartimin e Strategjisë së re Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore për periudhën 2027–2031.
Në njoftimin e publikuar nga Ministria thuhet se këta mekanizma kanë rol thelbësor në parandalimin e dhunës, mbrojtjen e viktimave dhe mbështetjen e tyre gjatë riintegrimit.
Megjithatë, mesazhi i publikuar nga institucioni që drejton Gërvalla bie në kontrast me qëndrimin e saj në rastin e Arlinda Zekajt, për të cilin ministrja ka refuzuar të japë përgjegjësi.
Në këtë takim, të pranishëm ishin vetëm kryetarët e Komunave të udhëhequra nga Vetëvendosje.
Gjatë takimit, sipas njoftimit, Gërvalla ka kritikuar edhe mungesën e kryetarëve të komunave, duke e cilësuar atë të papranueshme. Ajo ka theksuar se kryetarët nuk janë spektatorë, por bartës të përgjegjësive ligjore dhe institucionale.
Në fund të njoftimit, institucioni ka theksuar se Strategjia e re nuk duhet të mbetet vetëm një dokument në sirtar, por të shoqërohet me përgjegjësi të qarta, buxhete të garantuara dhe rezultate të matshme.
“Përgjegjësia nuk delegohet, nuk shtyhet dhe nuk shmanget”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.











