Ushtruesja e Detyrës së Kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës i bashkon me Lëvizjen Vetëvendosje, ndonëse PDK-ja e kishte akuzuar vazhdimisht partinë që drejtohet nga Albin Kurti se është kundër UÇK-së.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të hënën, Çitaku, derisa po fliste për Ligjin e ri për Gjykatën Speciale, për të cilin u dakorduan me Kurtin që të hartohet nga Grupi Punues për Apelin në Hagë, tha se UÇK-ja i bashkon me VV-në.

“Lëvizja Vetëvendosje ka qenë kundërshtari ynë politik edhe ditën kur e kemi proceduar ligjin edhe ditën kur e kemi miratuar, është edhe sot, por përkundër hendekut të madh mes nesh dhe dallimeve të thella politike që kemi në qeverisje, UÇK-ja është një vlerë që na bashkon të gjithëve”, tha Çitaku më 23 nëntor.

Por, PDK-ja, jo shumë kohë më parë, fliste krejtësisht ndryshe.

Vetë Çitaku, në korrik të 2025-së, e akuzonte Kryeministrin Kurti se “me vetëdije të plotë, ka vendosur sërish t’i shërbejë Prokurorisë në Hagë, kësaj radhe duke sulmuar Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin”.

Ajo thoshte se kjo është vazhdimësi e fushatës së Kurtit për përbaltjen e të tjerëve, posaçërisht të atyre që kanë kontribuuar për lirinë e Kosovës.

“Kjo nuk është as politikë, as rastësi. Është qëllim i pastër dhe vazhdimësi e një fushate të kamotshme që Kurti e ka ndërtuar mbi përbaltjen e të tjerëve, sidomos të atyre që kanë kontribuar për lirinë dhe shtetin e Kosovës”, shkruante Çitaku më 2 korrik 2025, pasi që Kurti kishte thënë se zyrtarët e PDK-së, vizitat e tyre në Hagë te Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli i bëjnë për të marrë “instruksione”.

Ish-Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e kishte akuzuar Kurtin se “demonizimi i UÇK-së është filozofia e Kurtit dhe Vetëvendosjes”.

“Nëse është dikush që e ka pasur mënyrë jetese demonizimin e UÇK-së dhe të udhëheqësve të saj, ai është Albin Kurti. Rrjedhimisht, gati secili që i është bashkuar atij, ka pasur ose ka përvetësuar të njëjtin mentalitet”, shkruante Krasniqi në Facebook më 28 gusht 2025, pasi që Dimal Basha ishte zgjedhur Kryetar i Kuvendit, të cilit më pas i ishte publikuar një punim në të cilin e kriminalizonte UÇK-në.

Jo vetëm Krasniqi e Çitaku, ka plotë zyrtarë të PDK-së që kanë deklaruar se Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti është kundër UÇK-së.

Pra, deri dje PDK-ja e përdorte UÇK-në si vijë ndarëse me Vetëvendosjen. Sot e quan vlerë të përbashkët.

PDK-ja u tërhoq edhe nga ligji që vetë e propozuan për Gjykatën Speciale. Pas miratimit të tij në Kuvend më 6 tetor, kjo parti i kërkoi Presidentes Justina Shiroka-Pula, që ta kthejë në Kuvend për rishqyrtim.

Më pas, hoqën dorë komplet prej tij. U dakorduan me Kurtin për një ligj të ri i cili do të hartohet nga Grupi Punues për Apelin në Hagë, i cili udhëhiqet nga Ministri i Punëve të Jashtme, njëherit nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca.

Ligji për Specialen u iniciua nga PDK-ja pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale.