Gjashtë kandidatë kanë aplikuar për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, pas hapjes së konkursit për këtë pozitë, pas dorëheqjes së ish-drejtorit Gazmend Hoxha.
Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur për KosovaPress se në konkursin, i cili ishte i hapur nga 5 deri më 19 nëntor, kanë aplikuar gjithsej gjashtë persona.
Kandidatët janë: Granit Fetahu, Fehmi Hoti, Sladjana Stojanovic, Arbnesh Ajvazi, Arben Paqarizi dhe Agron Rukiqi.
Në përgjigjen e saj, MPB-ja ka bërë të ditur se Komisioni për Emërime të Larta në Polici (KELP) do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për vazhdimin e procedurës, në përputhje me Udhëzimin Administrativ nr. 13/2012 për Themelimin, Përbërjen dhe Procedurat e Komisionit për Emërime të Larta në Polici.
Sipas Ligjit për Policinë, kandidatët për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm përzgjidhen dhe propozohen nga komisioni i themeluar nga ministri i Punëve të Brendshme.
Më pas, komisioni ia propozon kandidatët ministrit, i cili në njërën nga mbledhjet e Qeverisë propozon një kandidat për këtë pozitë. Qeveria e rekomandon atë te Kryeministri, i cili e merr vendimin përfundimtar për emërimin e drejtorit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë emërohet për mandat pesëvjeçar, me mundësi vazhdimi edhe për një mandat tjetër.
Kandidati duhet të jetë shtetas i Kosovës, të ketë diplomë universitare dhe së paku pesë vjet gradën policore kolonel, nënkolonel ose major, krahas kritereve të tjera ligjore.
Përzgjedhja e drejtorit të ri vjen pas dorëheqjes së Gazmend Hoxhës, ndërsa në pozitën e ushtruesit të detyrës është caktuar Fehmi Hoti, i cili është gjithashtu njëri nga gjashtë kandidatët që kanë aplikuar.
Gazmend Hoxha dha dorëheqje pas dështimit institucional për trajtimin e rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt.











