Në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Siguri të martën, opozita ka kërkuar hetim nga Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në lidhje me shpërthimet e municioneve në Forcën e Sigurisë së Kosovës, ku si pasojë janë lënduar ushtarët – për të cilat raportoi VOX Kosova.
Nga ana tjetër, pushteti, pra Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se këto ndodhin “gjithkund”.
Çështja u ngrit fillimisht nga deputeti i Aleancës, Burim Ramadani. Ai tha se nuk duhet të presin që dikush ta humb për shkaqe të tilla që pastaj të veprohet.
“Duhet me i bë kërkesë Ministrit të Mbrojtjes në lidhje me incidentet e publikuara tashmë. Mendoj që kërkesa jonë duhet të jetë tepër e qartë: duhet të ketë auditim dhe hetim të plotë për atë se kush e ka ble atë... nëse është problemi te municioni, kush e ka ble municionin, kush e ka ba kontrollin e cilësisë dhe kush e lejon për përdorim. Pra, kjo mund të jetë kërkesë me shkrim. Mund të jetë, jo patjetër, thirrje për raportim sepse besoj që Komisionit i duhet një qartësi për veprimet e marra”, tha Ramadani.
Por, deputeti i VV-së, Mefail Bajqinofci, e kundërshtoi këtë me arsyetimin se në krejt armatat e botës ka lëndime.
“Ju dini na edhe kur ishim në FSK patëm përgjigje që në krejt armatat e botës ka lëndime, ka probleme. Ndoshta mund të kemi diçka me shkrim, por të thuhet hetim për një problem të caktuar, unë mendoj se mos është e tepërt të thuhet, sepse ushtarët punën, puna më e rëndë në jetë gjatë trajnimeve është që ndodhin këto probleme”, tha Bajqinofci.
Këtë logjikë e kundërshtoi deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu. Ajo i kërkoi Bajqinofcit që mos ta marrin çdo kërkesë të opozitës si tendencioze.
“Mos e merrni çdo kërkesë tonën si tendencioze në këtë Komision. Sepse, nëse për diçka s’kemi tendenca, nëse për diçka kemi qenë të kujdesshëm prej kohës kur jemi në opozitë, janë çështjet e sigurisë”, tha Musliu.










