Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar vendimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në sektorin e energjisë, duke thënë se ai nuk e përmirëson furnizimin me energji elektrike, por u mundëson institucioneve të arsyetojnë ndërprerjet e energjisë.
Në një postim në Facebook, Bajrami ka thënë se pas votimit të vendimit në Kuvend, për 60 ditët e ardhshme energjia mund të ndërpritet në çdo kohë dhe vend.
Sipas saj, vendimi nuk e përmirëson furnizimin, por e mbron KEDS/KESCO-n nga paditë eventuale për dëmet që shkaktohen nga ndërprerjet e energjisë elektrike.
Bajrami ka përmendur edhe detyrimin e ndërmarrjes Ibër-Lepenc për të prodhuar energji për Shërbimin Universal, por ka vlerësuar se kapaciteti i saj i instaluar prej rreth 30 megavatësh nuk mund të sjellë përmirësim të ndjeshëm të situatës.
Sipas saj, vendimi krijon mundësi edhe për blerjen e energjisë elektrike dhe kontraktimin e kompanive për investime e remonte në KEK, duke anashkaluar procedurat e zakonshme të prokurimit publik.
Deputetja ka rikujtuar se masat emergjente në sektorin e energjisë ishin shpallur për herë të parë më 21 dhjetor 2021, ndërsa gati pesë vjet më vonë, vendi vazhdon të qeveriset përmes masave emergjente.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar pas mesnatës vendimin e Qeverisë për vendosjen e masave emergjente në furnizimin me energji elektrike, të cilat do të jenë në fuqi për 60 ditë.
Vendimi mori mbështetjen e 61 deputetëve, ndërsa pika u përfshi në rendin e ditës përmes një mocioni, gjatë seancës që vazhdoi deri në orët e hershme të mëngjesit të së premtes.










