“S’di çka të them për ty, përpos që e kisha nda një pjesë të jetës me të zëvendësu, Baca Jakup”.

Kështu ka shkruar në Facebook Daut Haradinaj, ish-deputet i Aleancës, derisa ka publikuar një fotografi të ish-Kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, në të cilën ai shihet që sapo ka zbritur nga një veturë e EULEX-it e po shkon në shtëpinë e tij në Prishtinë nën masa të rrepta sigurie.

“Mjekrra e bardhë dhe rrudhat tua tregojnë rrugën e gjatë e të vështirë që e pati kombi ynë”, tha Haradinaj.

Ai e quajti bashkëluftëtarin e tij “burrë të urtë dhe ideologu i shtetësisë sonë”.

Jakup Krasniqi është duke qëndruar që dy tri ditë në Kosovë, pasi Gjykata Speciale i dha leje për arsye humanitare.

Çdo mëngjes, Krasniqi është sjellë në shtëpi dhe në ora 17:00, është marrë nga EULEX-i.

Sipas raportimeve, Krasniqi pritet që të qëndrojë në Kosovë deri të shtunën.

Më 16 shtator, Krasniqi u dënua nga Gjykata Speciale me 25 vjet burg. Bashkë me të u dënuan edhe krerët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi me 25, Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13.