Në publik, më 1 dhjetor të vitit 2022, Ndërmarrja Hidro-Ekonomike Ibër Lepenci njoftonte se zotëri Faruk Mujka, përmes një procesi të ligjshëm të përzgjedhjes, është emëruar Kryeshef Ekzekutiv për një mandat prej tri vjetësh.
Por, në prapaskenë, Mujka koordinohej me Ministren Artane Rzivanolli dhe Dejona Mihailin e Vetëvendosjes – për ta kapur këtë pozitë në formë krejtësisht joligjore dhe me ndikime politike të partisë në pushtet.
VOX Kosova ekskluzivisht ka siguruar nga dosja e Prokurorisë komunikimet e Faruk Mujkës me Artane Rizvanollin, Albulena Haxhiun, Dejona Mihailin dhe zyrtarë të tjerë të lartë të institucioneve të Kosovës. Komunikime këto të realizuara nga dy telefonë të Mujkës, që iu konfiskuan në momentin e arrestimit të tij më 14 korrik 2023, pas dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Kur Mujkës iu ekzaminuan telefonat nga Drejtoria e Teknikës Kriminalistike, Sektori për Fotografi, Video-analizë dhe Ekzaminime të IT-së, u gjet se Mujka kishte komunikime të rregullta me ministra të Vetëvendosjes e me Dejonan Mihailin.
Komunikimet janë realizuar kryesisht në platformën WhatsApp. Nga mesazhet që do t’i publikojmë, zbulohet skema e emërimeve krejtësisht politike dhe në mënyrë të kundërligjshme jo vetëm e Mujkës në Ibër Lepenc, por edhe e militantëve të tjerë nëpër institucione.
Kjo është hera e parë që dëshmohet me fakte nga prokuroria se si ministrat ushtrojnë ndikimin e tyre për kryerjen e favoreve duke abuzuar me pushtetin. I informuar, siç tregojnë mesazhet, ishte edhe kryeministri Albin Kurti.
Në komunikimet e Faruk Mujkës me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Dejona Mihailin e Vetëvendosjes, kuptohet qartësisht, se qysh nga fillimi konkursi për kryeshef të Ibër Lepencit ishte veç një formalitet.
Personi tashmë ishte caktuar dhe do të përzgjedhej politikisht, ilegalisht, nëpërmjet abuzimit të skajshëm me pushtetin.
Me 1 shtator të vitit 2022 në orën 4 e 43 minuta, Dejona Mihaili i shkruan Faruk Mujkës: “Për aplikimin/propozimin tënd të gjithë janë OK.
D.m.th vijojmë, por megjithatë takoju me Artanen. Merru një herë me aplikimin dhe takohu me Artanën”. Mujka bën ashtu si i thotë Mihaili dhe vetëm dy minuta më vonë, në 4 e 55, i shkruan Artane Rizvanollit:
“Përshëndetje Ministreshë. Shpresoj se nesër mund ta realizojmë takimin. Isha sot në organizatë dhe më thanë gjithsesi me u drejtu tek ju. Falemnderit”.
Rizvanolli ia kthen: “Pershendetje Faruk, Po, takohemi. Kur ju konvenon? Pasdite dikur?”
Mujka me mirësjellje i përgjigjet: “Pa asnje problem per mu. Kurdo qe eshte me e pershtatshme per ju”.
Të nesërmen Rizvanolli i shkruan Mujkës: “Prej tash e tutje une mundem”.
Mujka përgjigjet: “Me fal Ministre une tek tani u nisa nga Mitrovica. Pata ca pune te papritura”. “Ok, te pres” e kthen Rizvanolli dhe Mujka që i thotë: “per 5 min jam tek ju”.
Takimi ndodh.
Gjithçka e kurdisur për Faruk Mujkën që të kapë pozitën e kryeshefit ekzekutiv në një ndërmarrje që është aset i vlefshëm për partinë në pushtet, sepse aty edhe ka mundësi për punësime edhe financa.
Megjithatë, duhet edhe amini i një njeriu tjetër. Kryesorit. Albin Kurtit.
Mujka, rreth një muaj më vonë nga takimi i fundit me Rizvanollin i shkruan ministres prapë: “E nderuara Ministre, përshëndetje. Ju lutem konfirmoni te KM vullnetin tuaj për Ibër – Lepenc sepse ai nuk ishte i informuar dhe donte gjithsesi me ditë se edhe ju pajtoheni me aplikimin tim. Faleminderit shumë”.
“Përshendetje Faruk, pa merak”, e qetëson ministrja.
“Faleminderit shumë. Suksese të pafundme”, e përfundon bisedën Mujka.
Normalisht, kur vije afati i intervistës, Faruk Mujka i drejtohet sërish Dejonës.
Me datën 3 nëntor shkruan: “Përshëndetje Dejona. Të Mërkurën e kam intervistën. A kishte qenë mirë që një ditë të takohemi veç shkurt ta tregoj prezentimin dhe nëse ke diçka me më këshillu se është intervista ime e parë. Me të mira”.
Po patjetër, ia kthen ajo.
Për intervistë, Mujka e njofton edhe ministren Rizvanolli.
Vëmendje. Faruk Mujka nuk guxon të flas me ministren për këtë testim. As për këtë vend pune. Sepse Ndërmarrjet Publike sikur Ibër Lepenci janë nën menaxhim të Ministrisë së Ekonomisë që e udhëheqë vetë Rizvanolli. Kjo qasje është krejtësisht ilegale, sepse gara do të duhej të ishte fer dhe korrekte me mundësi të barabarta për të gjithë kandidatët.
Por, këtu nuk ndodhë kështu. Tash Mujka ka një shqetësim tjetër të cilin ia paraqet ministres: frikën që partneri i tyre në parti, Faton Peci, po influencon që njerëzit e tij ta marrin pushtetin në ndërmarrje dhe pozitën e kryeshefit.
“Përshëndetje Ministre. Intervistën ma kan caktu për të Hanën (fillimisht më kan thënë për nesër por e kan shty ndërkohë). Dejona më tha që Kryesuesi po insiston për dikend nga brenda por unë nga burime tejet të sigurta e di që ai pret udhëzime nga ministri Peci. Për këtë arsye e kan kandidu një femër nga Lipjani. Guxo (Fatoni) po tenton me shti komplet ndikimin në Ujësjellës të Mitrovicës dhe Ibër Lepenc. E di se ke tëpër punë por deshta me nda këtë informatë me juve. Me të mira”, shkruan Mujka.
“Flm për info z.Faruk. Kjo nga Lipjani për ku ka aplikuar dhe kush është?”, e pyet ministrja.
“Kaltrina Demiri. Për kryeshef në Ibër – Lepenc. Ka qenë kandidate për asambleiste në listën tonë e propozuar nga Guxo”, ia shpjegon Mujka.
Mujkës tash i del edhe një tjetër shqetësim. Një tjetër person që Mujka dyshon të jetë i shtyrë nga Donika Gërvalla.
Ai shkruan Dejonës sërish: “Ai djali, nr.2 në listë e me të cilin qenkam në listën e ngushtë, është definitivisht ai për të cilin më kanë thonë moti se është i preferuari i Gërvallës dhe mbështetet nga Vjosa e cila edhe e ka dërgu Bajramin aty ku është për me shty këtë proces. Këtë informacion e ke me garancë 100%”.
Në të njëjtin mesazh Mujka shkruan edhe se: “Ishalla nuk më sakrifikoni për shkak të 1% të Vjosës. Dëshprohem pa masë”.
“Nuk kanë thënë askush i nivelit politik diçka për të. Pra këta të subjektit të tyre, jo tonit. Ka gjasa qe vet ky bajrami te jete për e i jep konotacion kështu i atij i ketij. Por për çdo rast ja percolla Artanes”, ia kthen Dejona, për ti shkruar te njëjtën ditë më vone prapë. “Nui ka lidhje as me bajramin e as me guxo personi në fjalë. E konfirmuar”.
“Në rregull. Më fal, ndoshta e jam gabim. Ndoshta kjo vonesë po më shqetëson pa nevojë e unë po ju shqetësoj juve. Me të mira”.
“Pa merak”, ia kthen Dejona.
Dhe kur të thotë Dejona Mihaili “pa merak”, me gjasë nuk duhet të kesh merak fare. Ky komunikim ndodhte me 23 nëntor 2022.
Veç tetë ditë më vonë, me 2 dhjetor, në orën 10 e 56 minuta e 57 sekonda, Faruk Mujkës i vjen një mesazh nga Artane Rizvanolli: “Urime kryeshef. Suksese!”. Mujka, pra, pas një skeme krejtësisht jo ligjore, me ndërhyrje të dëshmuara këtu flagrante, e kishte kapur pozitën.
“E nderuara Ministre. Të falemnderoj nga zemra për besimin, mbështetjen dhe përkrahjen tuaj në këtë proces. Premtoj se nuk do të ju zhgënjej dhe do të bëj të pamundurën t’i shtyjmë synimet tona në zhvillimin e ndërmarrjes dhe mënyrës së Qeverisjes e cila pritet nga ne”, e kthen mesazhin plot falënderime Mujka.
“Na priftë e mbara”, vazhdon Rizvanolli.
“Gjithmonë së bashku”, thotë Mujka.
Normalisht, të njëjtin mesazh ia çon edhe Dejonës: “E nderuara Dejona. Të falemnderoj nga zemra për besimin, mbështetjen dhe përkrahjen tuaj në këtë proces. Premtoj se nuk do të ju zhgënjej dhe do të bëj të pamundurën t’i shtyjmë synimet tona në zhvillimin e ndërmarrjes dhe mënyrës së Qeverisjes e cila pritet nga ne”.
“Veç suksese”, përgjigjet shkurt Dejona Mihaili.
Më pas vazhdon edhe pak një bisedë interesante mes Mujkës e Rizvanollit, të njëjtën ditë.
“Lirisht me plot gojë thuaj që qeveria as VV nuk kanë ndikuar në vlerësim”, e sugjeron Rizvanolli Mujkën. “Bile njëri të ka vlerësuar më dobët se e ka preferu dikë tjetër”. “Po për këtë të trefoj ndonjëherë”.
Por, Mujka me gjasë e di për kë bëhet fjalë: “E di se Bajrami ka qenë goxha i ndikuar nga dikush, bile më thirri me dal sonte por i thash tjetër herë. Hiq pa merak se unë di si me vepru me media pos nëse ata shkruajnë pa më pyet mua fare”.
“Takohemi gjithësesi gjatë javës. Të tregoj kush është kush e çka po bën aty. Se gjatë këtij konkursi kam mësu shumë. E ata me interesa tjerë duhet me i përcjellë me kujdes”.
Mujka përgjigjet: “Unë kam pas mundësi pak a shumë me i vlerësu vetëm gjatë intervistës sepse vetëm Bajramin e njoh e ai është asi LDK i tipit të Skender Hysenit”.
Këtu pason një ofendim i rëndë nga Rizvanolli për Skënder Hysenin, ish-ministrin e disa ministrive në Kosovë:
“Hahahah. Bash!!. Asi minuki. Që bëhet i pagajshëm. E njeh krejt Mitrovica çfarë është”.
“Po çuditesha si arriti në dy Qeveritë tona të bëhet drejtues bordi. Njëherë në KRU e tash në IL”.
Kryeshefi Ekzekutiv i një ndërmarrje publike është pozitë nën ministrinë e Ekonomisë. Ministrja e ka të ndaluar rreptësisht të përfshihet në procesin e punësimit në këtë pozitë.
Biseda e Rizvanollit me Mujkën e dëshmon përfshirjen flagrante të Rizvanollit dhe është dëshmi e mjaftueshme që Rizvanolli ka kryer veprën penale të Keqpërdorimit të pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar nga Neni 414 i kodit penal.
Paragrafi 1 i këtij neni thotë: Personi zyrtar, i cili duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij ose nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër ose që t’i shkel të drejtat e personit tjetër, dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet.
Rizvanolli në këtë rast ka tejkaluar kompetencat duke sjellë dobi për partiakun e vet, por edhe duke shkaktuar dëm dhe shkelje të të drejtave të të gjithë kandidatëve të tjerë, të cilët kur konkurronin për pozitën që veç iu kishte ndarë Mujkës, besonin se po i futen një gare ku fiton më i miri.