Ministri në largim i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në një intervistë për VOX Kosova tha se sulmi terrorist i fundit ndaj infrastrukturës së Ibër–Lepencit kishte synuar shkaktimin e një rreziku të përgjithshëm për ujin, energjinë dhe sistemet e tjera vitale, me potencial që të ndikonte në rreth 70 për qind të territorit të Kosovës.
“Unë besoj që ky rast nuk ka qenë i izoluar. Dihet tashmë se ky incident ka ndodhur pas dy rasteve të tjera brenda të njëjtit muaj, të cilat kanë qenë sulme me bomba. Qëllimi i këtij sulmi ka qenë krijimi i një rreziku të përgjithshëm për infrastrukturën, për furnizimin me ujë dhe për energjinë, pra për gjithë popullatën e Kosovës. Sipas planifikimeve, rreth 70 për qind e territorit të vendit është paraparë të prekej nga ky sulm”, tha Maqedonci.
Sipas tij, nga aktakuza e Prokurorisë Speciale tashmë dihet se ky grup kishte lidhje të pandërprera me grupin e drejtuar nga krimineli Milan Radojiçiç.
“Po ashtu, Jovan Viçetinjeviç ka pranuar se, përveç të tjerash, është trajnuar dhe përgatitur bashkë me këtë grup dy vite më parë në një bazë ushtarake në Serbi, si dhe ka dhënë informacione të tjera për lidhjet e tij me Radojiçiç dhe grupe të tjera të ndërlidhura me të. Vlerësoj se rreziku nga ky sulm terrorist ka qenë i madh. Gjithashtu, mund të konkludoj se, pavarësisht sulmit në Banjskë, Radojiçiçi vazhdon të jetë i strehuar dhe i mbështetur nga strukturat e sigurisë në Serbi”.