Rreth 70 mijë euro i kushtoi buxhetit të Kosovës vizita e presidentes Vjosa Osmani në SHBA, e zhvilluar në shtator të këtij viti.
Sipas të dhënave zyrtare që VOX Kosova ka siguruar përmes kërkesës për qasje në dokumente, Osmani në SHBA ishte vetë e 12-ta, së bashku me 11 anëtarë të stafit.
Shpenzimet për akomodim arritën në 45,271 euro.
Për bileta udhëtimi u paguan edhe 22,838 euro.
Ndërsa 1,447 euro të tjera shkuan për dreka, darka dhe internet.
Në sy bie fakti se akomodimi për dy këshilltare të Presidentes ishte dukshëm më i shtrenjtë se për pjesën tjetër të stafit.
Për Donika Kadajn, shteti pagoi 6,416 euro.
Për Rejhan Vuniqin, shuma arriti në 8,064 euro.
VOX Kosova ka pyetur Presidencën nëse dy këshilltaret kanë udhëtuar disa ditë më herët drejt SHBA-së, por nuk ka marrë përgjigje.
Zyra e Presidentes nuk ka kthyer përgjigje as për vetë shpenzimet, derisa qasja në dokumente u mundësua vetëm pas ndërhyrjes së Agjencisë për Informim dhe Privatësi.
Krejt kjo për një lidership që në pushtet erdhi me premtimin për kursim të parasë publike.
Një vizitë që u prezantua si punë shtetërore, por që në praktikë u shndërrua në udhëtim me një armatë këshilltaresh, me fatura që vetëm u rritën.