Ministria e Infrastrukturës e udhëhequr nga Hysen Durmishi ka dhënë edhe një kontratë njëburimore për punë shtesë për urën në Mitrovicë. Sërish fituese është kompania e njëjtë, “Eurokos Holding”. Kësaj radhe, kjo urë(mbikalim) që u përdor shumë për fushatë nga Vetëvendosje, ia “gërryu” Kosovës edhe 300 mijë euro.

DOKUMENT:

297 mijë euro e 81 centë, është vlera e tenderit të fituar nga “Eurokos Holding” për punë shtesë në urat në Mitrovicë. Kjo kompani është shpallur fituese pas një procedure të fshehtë negocimi. Ministria e udhëhequr nga Hysen Durmishi ka shpërfillur faktin se Prokuroria Speciale kishte nisur hetimet për kontratat njëburimore të dhëna për ndërtimin e urave, duke vepruar sërish njëjtë në procedurë.

Të njëjtës kompani, përmes së njëjtës procedurë i ishin dhënë edhe kontratat paraprake. Vlera e së parës ishte tre milionë euro. E së dytës, 480 mijë.

Për tenderët e dhënë me negocim për kompaninë në fjalë, që tash janë subjekt hetimi nga organi i akuzës, kishte raportuar edhe më herët VOX Kosova. Pronari i firmës fituese “Eurokos Holding”, Ylber Shamolli, shfaqej në një fotografi bashkë me kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin Hajrulla Çeko.

Por, mohonte të kishte lidhje me ta.

“Unë jam kanë ma shumë se 10 vjet nënkryetar dhe anëtar i bordit të Federatës së Tenisit. U kanë inaugurimi i fushave të tenisit në Taukbahçe që i ka financu ministria edhe Komuna e Prishtinës. Qata është edhe nënkryetari i komunës e kryetari i Federatës. Janë krejt edhe unë si nënkryetar kam marrë pjesë në inaugurim të fushave. Ajo ka qenë fotografi e rastësishme bile më kanë thirrë ti po e sheh qysh kam dalë unë veç krytë aty se më kanë thirrë hajde, hajde, hajde”, thoshte Shamolli.

Ai thotë se kompania e tij “është e para që ka shtruar rrugë në Kosovë dhe se fokusin e ka në Shqipëri”.

Për kontratat njëburimore, mohon se u favorizua.

“Kurrfarë favorizimi s’ka. Unë dy kontrata i kam që pesë vjet. Ma shumë punoj në Shqipëri se që punoj në Kosovë. E vetmja kontratë njëburimore është qikjo e urave, edhe aty na kanë marrë si referencë se urat në Shqipëri shumicën e autostradës e kemi pas dhe e kena kry na. E kanë ditë që kemi referenca edhe kena përvojë në ura.  Kjo ka qenë një burimore se kjo realisht, fillimisht ka qenë e paraparë veç ura si urë. Domethënë procesi i projektimit u vonu edhe tani kanë shpejtu. Kjo ka qenë me prioritet nacional. Me thanë se nuk më ka interesu. Po masi më kanë thirrë e kam kry punën teme”, potencon Shamolli.

Se këto ura u përdorën për fushatë, u vulos nga një vendim i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i para pak ditëve.

PZAP dënoi Vetëvendosjen me 6 mijë euro pasi që ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, përdori urën në Mitrovicë për fushatë, gjersa kolegia e tij nga Ministria e Arsimit, Arbërie Nagavci, përdori zyrën e saj.

DOKUMENT: