Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova e meriton ta marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ai ka theksuar se nuk po kërkon trajtim të privilegjuar, por një proces të bazuar në merita.
Në një intervistë për gazetën irlandeze “The Irish Times” gjatë kohës kur po merrte pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Dublin, që u publikua të hënën, Kurti ka thënë se Kosova nuk kërkon rrugë të përshpejtuara apo alternativa jashtë procedurave të zakonshme të zgjerimit të BE-së.
“As proces të përshpejtuar, as dyer të pasme, as rrugë të shkurtra. Ne kërkojmë një proces të bazuar në merita. Na vini në provë. Procesi i anëtarësimit për ne nuk është më pak i rëndësishëm sesa vetë anëtarësimi, sepse presim që përmes tij t'i përshpejtojmë reformat në administratën publike, në sistemin e drejtësisë dhe në arsim”.
Kurti shprehet i bindur se Kosova e meriton ta marrë statusin e vendit kandidat. “Nuk po kërkojmë favore. Po kërkojmë vetëm të na parashtrohet pyetja, sepse përgjigjet do t'i japim vetë”.
Kosova vazhdon të mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndonëse aplikimin për anëtarësim e ka dorëzuar në dhjetor të vitit 2022.
Në intervistën për “The Irish Times”, Kurti ka folur edhe për shijet e tij letrare dhe muzikore.









