Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar ndalimin e përkohshëm të prodhimit të pleskavicave “Buquku”, të prodhuara nga kompania “Buquku SH.P.K.” në Pejë, pasi analizat laboratorike kanë konstatuar nivel të bakterit Escherichia coli (E. coli) mbi pragun referues.
Sipas njoftimit të AUV-së, masa ka të bëjë me produktin “Pleskavicë Buquku 0.5 kg”, me numër aprovues RKS-144 dhe datë prodhimi 12 nëntor 2026.
“Mostrat e analizuara janë konstatuar nivele të bakterit Escherichia coli (E. coli) mbi pragun referues të përcaktuar për higjienën e procesit të prodhimit”, thuhet në raportin laboratorik nr. 5640/2026.
Përveç ndalimit të përkohshëm të prodhimit, inspektorët kanë urdhëruar edhe tërheqjen e sasive të mbetura të këtij produkti nga tregu.
Kompania është obliguar të identifikojë burimin e kontaminimit, të dokumentojë gjurmueshmërinë e produktit dhe të ndërmarrë masa për përmirësimin e higjienës gjatë prodhimit, kontrollit të lëndës së parë dhe sistemit të vetëkontrollit HACCP.
AUV ka bërë të ditur se prodhimi nuk do të lejohet të rifillojë pa u eliminuar mangësitë e konstatuara, pa u konfirmuar përmbushja e kritereve mikrobiologjike përmes analizave laboratorike dhe pa u riverifikuar kushtet e prodhimit nga inspektorët e agjencisë.
Ndërkohë, Ministria e Bujqësisë ka kërkuar mbikëqyrje të shtuar ndaj operatorëve që kanë jokonformitete të përsëritura, si dhe rivlerësim të profilit të tyre të rrezikut.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, disa lloje të bakterit E. coli, veçanërisht ato që prodhojnë toksinën Shiga, mund të shkaktojnë sëmundje të rënda përmes konsumimit të ushqimit të kontaminuar.











