Një performancë muzikore e realizuar në internet, pa publik të pranishëm, i ka kushtuar këngëtares iraniane Parastoo Ahmadi 74 goditje me kamxhik. Ajo u ndëshkua të hënën nga autoritetet iraniane, pasi në vitin 2024 kishte kënduar pa mbajtur hixhabin, mbulesën e detyrueshme për gratë në Iran.

Lajmi u bë i ditur nga avokati i saj, Mostafa Nili, i cili deklaroi për median iraniane Emtedad se Ahmadi dhe katër persona të tjerë të lidhur me performancën u paraqitën në zyrën e prokurorisë në qytetin e Kumit, ku u ekzekutua dënimi me goditje.

Përveç këtij ndëshkimi, këngëtares dhe personave të përfshirë u është ndaluar të performojnë për dy vjet. Gjatë së njëjtës periudhë, ata nuk do të kenë të drejtë të largohen nga Irani.

Një burim në Teheran, i njohur me rastin, konfirmoi se Ahmadi i kishte marrë 74 goditjet me kamxhik. Burimi kërkoi të mbetej anonim për shkak të frikës nga hakmarrja e autoriteteve iraniane.

Koncerti që u ndoq nga 3.3 milionë persona

Performanca që çoi në dënimin e këngëtares u realizua në vitin 2024, në një lokacion historik në qytetin e Kumit. Ndonëse nuk kishte spektatorë fizikisht të pranishëm, koncerti u transmetua drejtpërdrejt në internet.

Ahmadi e kishte cilësuar atë si një “koncert imagjinar”. Videoja e performancës u shpërnda me shpejtësi dhe arriti të tërhiqte 3.3 milionë shikues.

E veshur me një fustan të gjatë të zi, këngëtarja interpretoi këngë tradicionale iraniane, pa mbuluar flokët dhe shpatullat, në kundërshtim me rregullat e vendosura nga Republika Islamike.

“Unë jam Parastoo, një vajzë që dëshiron të këndojë për njerëzit që i do”, kishte shkruar ajo në përshkrimin e videos.

“Kjo është një e drejtë që nuk mund ta shpërfillja: të këndoja për tokën që e dua me pasion”, ishte mesazhi tjetër i saj.

Vendimi fillestar ishte nxjerrë në qershor, kur Ahmadi dhe tetë persona të tjerë të përfshirë në koncert ishin dënuar me fshikullim. Ende nuk është bërë e qartë nëse tetë personat e tjerë janë ndëshkuar tashmë apo nëse dënimi i tyre do të zbatohet në një moment tjetër.

Ndërkohë, mediat e afërta me qeverinë iraniane raportuan se këngëtarja dhe bashkëpunëtorët e saj ishin akuzuar për “cenim të moralit publik” dhe mosrespektim të normave ligjore e kulturore.

Represioni ndaj kundërshtarëve në Iran

Ndëshkimi i Parastoo Ahmadit vjen në një periudhë kur autoritetet iraniane po vazhdojnë fushatën e shtypjes ndaj zërave kundërshtues.

Në janar, qeveria shtypi me dhunë protestat masive, duke vrarë mijëra demonstrues, sipas organizatave për të drejtat e njeriut. Edhe pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit në shkurt, autoritetet kanë vazhduar arrestimet dhe ekzekutimet e personave që kundërshtojnë regjimin.

Mahmood Amiry-Moghaddam, drejtor i organizatës Iran Human Rights, me seli në Norvegji, vlerëson se lufta ka ulur koston politike të represionit për Republikën Islamike.

“Ajo që më parë shkaktonte zemërim ndërkombëtar, tani mezi tërheq vëmendje, sepse fokusi është te lufta”, deklaroi ai.

Megjithëse gratë pa shami vazhdojnë të shihen në rrugët e Iranit, rasti i Ahmadit dëshmon se mosrespektimi i detyrimit për hixhab mund të sjellë ende arrestime dhe ndëshkime fizike.

Një prej rasteve që kishte tronditur vendin dhe opinionin ndërkombëtar ishte ai i Mahsa Aminit, 22-vjeçares kurde që vdiq në paraburgimin policor në vitin 2022, pasi ishte arrestuar për shkelje të rregullave të veshjes dhe të hixhabit.

Vdekja e saj nxiti protesta në mbarë Iranin, të cilat u njohën me sloganin “Gruaja, Jeta, Liria”. Që nga ajo kohë, një numër gjithnjë e më i madh grash kanë zgjedhur të mos i respektojnë rregullat për mbajtjen e shamisë.

Madje, gra pa hixhab janë shfaqur edhe në mediat shtetërore iraniane dhe në tubimet proqeveritare gjatë luftës.

Megjithatë, sipas Amiry-Moghaddam, veprimi i Parastoo Ahmadit shkoi përtej kundërshtimit të detyrimit për shami. Ajo, sipas tij, kërkoi publikisht njohjen e të drejtave themelore.

Ai e konsideron ndëshkimin e këngëtares pjesë të një strategjie më të gjerë të autoriteteve për të përhapur frikë dhe për të penguar të tjerët që të ndjekin shembullin e saj.

“Kërcënimi kryesor për Republikën Islamike nuk vjen nga Shtetet e Bashkuara apo Izraeli. Ai vjen nga të rinjtë iranianë që duan ndryshime themelore. Kjo është arsyeja pse ajo që bën Parastoo, sado paqësore që të duket, konsiderohet e rrezikshme”, tha ai.

Artistët nën shënjestër të autoriteteve

Shtypja e shprehjes artistike dhe kulturore në Iran është intensifikuar gjatë muajve të fundit, sipas Qendrës për të Drejtat e Njeriut në Iran, një organizatë jofitimprurëse me seli në Nju Jork.

Muajin e kaluar, kjo organizatë u bëri thirrje qeverive dhe Kombeve të Bashkuara që të ushtrojnë presion ndaj Teheranit për lirimin e artistëve dhe figurave kulturore të burgosura për shkak të krijimtarisë dhe shprehjes së tyre. Ajo kërkoi gjithashtu përfundimin e ndëshkimeve trupore, përfshirë fshikullimin.

Në raportin e saj, organizata evidentoi rreth tetë raste të figurave kulturore në Iran, të cilat gjatë muajve shtator dhe tetor ishin arrestuar, mbajtur në paraburgim pa mundësi komunikimi me jashtë, ndjekur penalisht ose burgosur për shkak të këngëve, poezive, pikturave, librave apo publikimeve në rrjetet sociale.

Qendra rikujtoi gjithashtu se dënimi i Parastoo Ahmadit dhe i tetë muzikantëve e anëtarëve të ekipit që kishin marrë pjesë në koncertin virtual ishte konfirmuar nga Gjykata e Apelit në Kum në shtator.

Esfandiar Aban, drejtor i hulumtimeve në këtë organizatë, tha se arrestimet dhe ndëshkimet e tilla nuk duhet të shihen si raste të izoluara.

“Këto arrestime duhet të kuptohen si pjesë e një fushate më të gjerë dhe gjithnjë e më të dhunshme të represionit në Iran, që synon të heshtë kundërshtimin dhe të frikësojë komunitete të tëra”, deklaroi Aban.