Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka tallur Qeverinë e Kosovës për prezantimin e një raporti “me të arriturat” e Qeverisë Kurti 2, i mbushur me projekte të dështuara, e të cilat as që kanë nisur të realizohen.

“Çka kish raportu Albini për gjashtë vjet? A kish raportu se i ka ndërtu 160 çerdhe? A kish raportu se i ka përfundu rrugët për Podujevë, Pejë e Mitrovicë? Po rrugën për Gjilan, a kish raportu se e ka përfundu për të 13-ën herë?”, shkruan Bajrami.

Bajrami ka përmendur edhe refrene të tjera të zakonshme të Qeverisë e Kryeministrit, Albin Kurti, sikurse ato “për hajnat në burg” e “lufta kundër mafisë energjetike”.

“A kish raportu se i ka çu hajnat në burg? A kish raportu se e ka luftu mafinë energjetike?A kish tregu qysh ju dashtën 6 vjetë me marrë veshë se po blejmë energji nga kompanitë e Serbisë?A kish raportu qysh i ka rritë rezervat shtetërore? A kish raportu se i ka mbushë spitalet me barna, siç premtoi?”, shton.

“Po bashkimin kombëtar, hekurudhat, digat e kërkimfaljen nga Serbia - a kish raportu se i ka realizu edhe këto?.

Qeveria e Kosovës ka publikuar një raport me 57 faqe në të cilin paraqiten “të arriturat” e Qeverisë Kurti 2. Në të, janë përfshirë projekte të premtuara, por të parealizuara.

Veç në energjetikë:

Projekti për ndërtimin e sistemeve të baterive për ruajtjen e energjisë elektrike në Kosovë është shtyrë për vitin 2029, ndonëse fillimisht ishte planifikuar që të funksionalizohej në gusht të vitit 2028.

Procedurat e prokurimit ende nuk kanë përfunduar dhe aktualisht janë duke u vlerësuar ofertat e dy kompanive amerikane.

Njësia B1 e Korporatës Energjetike, investim i Bashkimit Evropian, s’ka përfunduar në afatet e paracaktuara – andaj për rrjedhojë pritet rritja e importit të energjisë elektrike gjatë dimrit.

Parku solar i KEK-ut, mbetet projekt i papërfunduar, njëjtë sikurse ankandi solar.

E papërfunduar dhe në fazë vlerësimi është edhe ankandi i erës.