Qeveria e Albin Kurtit, në mesin e të arriturave me të cilat po lavdërohet në fushën e sigurisë gjatë periudhës 2021–2026, e ka përfshirë edhe Fabrikën e Municionit.
Ndonëse për këtë projekt është nënshkruar një kontratë, Qeveria e paraqet atë si një prej sukseseve të saj. Por, në realitet, fabrika që është planifikuar të ndërtohet në një zonë industriale të Gjakovës, ende nuk i ka as themelet.
“Industria e mbrojtjes: Nënshkruam kontratën për fabrikën e parë të municioneve, e cila do të jetë ndërmarrje publike dhe do të prodhojë me markë 100% vendore. Po bashkëpunojmë me sektorin privat dhe me partnerët ndërkombëtarë për prodhimin e mjeteve ajrore dhe tokësore pa pilot (UAV dhe UGV), dronëve FPV, si dhe pajisjeve dhe municioneve të tjera ushtarake”, thuhet në raportin ku pasqyrohen të arriturat e Qeverisë Kurti II.
Por premtimet e pushtetit për këtë projekt kanë shkuar edhe më larg. Vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kishin deklaruar se fabrika do të prodhonte plumbat e parë në fund të vitit 2026.
Megjithatë, kjo wshtw e pamundur, përderisa ndërtimi i fabrikës ende nuk ka nisur dhe në lokacionin e paraparë nuk janë hedhur as themelet.











