Profesori amerikan, Paul Williams, që ka qenë këshilltar i delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujes, ka përfunduar dëshminë e tij në Hagë, në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, si dëshmitar i mbrojtjes.
Williams dëshmoi për dy ditë radhazi në Gjykatën Speciale. Ai ishte dëshmitari i dytë i mbrojtjes. I pari ishte ish-ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit gjatë kohës së luftës në Kosovë, James Rubin.
Pas tyre, mbrojtja do të sjellë dëshmitarë të tjerë. Pritet që të jenë ish-zyrtarë të rëndësishëm evropianë e amerikanë që kanë qenë pjesë e NATO-së e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) gjatë kohës së luftës.
Emrat që janë përfolur si dëshmitarë të mundshëm janë ish-Komandanti Suprem i forcave aleate të NATO-s për Evropë gjatë luftës në Kosovë, Gjenerali Wesley Clark, ish-kryeadministratori i Kosovës, Bernard Kouchner, ish-ambasadori William Walker, si dhe të tjerë – kryesisht nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe.
Dëshmitarë kanë thirrur vetëm Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi, ndërsa Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi jo.
Ish-krerët e UÇK-së – Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi – që nga 5 nëntori i 2020, po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë. Ata akuzohen nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.
Procesi gjyqësor ndaj tyre filloi në prill të vitit 2023. Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), më 16 prill të këtij viti, bëri me dije se ka mbyllur paraqitjen e provave ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Gjatë kësaj kohe, pak më shumë se dy vjet, ZPS-ja thirri 125 dëshmitarë dhe paraqiti afër 3 mijë prova materiale.