Dëshmia e ish-diplomatit amerikan, James Rubin, në Gjykatën Speciale ka shënuar një kthesë në procesin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rubin, si dëshmitar i parë i mbrojtjes, rrëzoi pretendimet e Prokurorisë për “ndërmarrje të përbashkët kriminale” dhe e paraqiti Hashim Thaçin si përfaqësues politik, pa autoritet vendimmarrës mbi strukturat e UÇK-së.

“Unë jam takuar me komandantët dhe kam parë raportin e tyre me Hashimin, këta komandantë i kanë treguar atij çfarë të bënte, jo Hashimi atyre”, deklaroi Rubin, duke përmbysur në pak sekonda narrativën e ngritur nga Prokuroria për “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.

Thaçi, “fytyra politike” e UÇK-së

Rubin, që e kishte njohure Thaçin në rrethana aspak të favoshme, në kohë të luftës, e përshkroi atë si “një lloj ministri të jashtëm”, një figurë që thjesht transmetonte vendimet e komandantëve të UÇK-së dhe se operonte “në rrethana të vështira”.

“Hashimi ishte shumë i ri, 30 vjeç, personat e tjerë, komandantët ishin të vjetër, ai nuk ishte përgjegjës nuk kishte njohuritë, apo kompetencën për të marrë vendime”, tha ai.

Sipas tij, gjatë Rambujes, Thaçi vepronte në bazë të direktivave që merrte nga udhëheqësit e UÇK-së: “Ajo që ai kishte ishte dëshira e komandantëve që ai ta nënshkruante marrëveshjen”.

“Shtabi i Përgjithshëm? Një çadër me dy karrige”

Rubin ironizoi me pretendimet për një “Shtab të Përgjithshëm” të UÇK-së apo “Qeveri të Përkohshme”.

“Thjesht po them që ato emërime ishin aspirata… Unë nuk kam parë asgjë në Kosovë që i përngjante Shtabit të Përgjithshëm. Nuk ka pas ndonjë Shtab për gjeneralët në kontekstin e Kosovës. Unë s’kam pa ndonjëherë gjeneral. Unë s’kam pa ndonjëherë Shtab të Përgjithshëm të gjeneralëve”, tha ai, duke shtuar: “Të përshkruash një vend me një çadër dhe dy karrige si zyrë të Shtabit të Përgjithshëm më duket absurde”.

Kritikat për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Rubin shprehu shqetësim për faktin që të akuzuarit qëndruan pesë vjet në paraburgim.

“Fakti që i akuzuari ka qenë në burg për pesë vjet, pasi vetë ofroi të paraqitej në gjykatë… më shqetësoi. Që politika të ndërhyjë në sundimin e ligjit, kjo më shqetëson”, tha ai.

Ai theksoi se kjo nuk është drejtësi: “Pse duhej të ishte në burg për pesë vjet para se të fillonte gjyqi? Kjo më goditi si jo lloji i sundimit të ligjit që kisha shpresuar”.

Skepticizëm për raportet e OKB-së dhe shpifjet mediatike

Rubin u shpreh se raportet e Kombeve të Bashkuara për Kosovën në vitet ’90 shpesh nuk pasqyronin realitetin: “Do të kisha lexuar një raport të OKB-së për Kosovën me një shkallë të lartë skepticizmi, duke pasur parasysh dështimin e përsëritur të OKB-së për të përshkruar saktë situatën atje”.

Ai mohoi akuzat për lidhje të UÇK-së me baronët e drogës, duke përmendur se këto shpifje vinin nga gazetari i New York Times, Chris Hedges:

“Do të thoja që kjo ishte një model me këtë gazetar të veçantë, Chris Hedges, i cili shpesh ishte i mashtruar nga burime serbe… dhe nuk morëm kurrë konfirmim për këto komente shpifëse që përsëritej shpesh nga zoti Hedges”.

Sipas tij, vetë New York Times e kishte larguar Hedges për “gabim pas gabimi”.

Rubin dëshmoi në Gjykatën Speciale për tri ditë radhazi. Pas tij, si dëshmitar i dytë i mbrojtjes është Paul Williams, ish-këshilltar ligjor i delegacionit të Kosovës në Rambuje e më pas në pozitë të njëjtë edhe në Ekipin Ngeociator të Kosovës në bisedimet e Vjenës për statusin e Kosovës gjatë vitit 2007, i cili tashmë ka filluar dëshminë.