Profesori amerikan, Paul Williams, që ka qenë këshilltar i delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujes, është pyetur të enjten në dëshminë e tij në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, se pse Ibrahim Rugova nuk u bë udhëheqës i delegacionit.
Ai tha se strategjikisht, ishte e udhës të ishte një personalitet i ri, që përfaqësonte krahun politik të grupit të armatosur – që luftonte për pavarësi. Williams shtoi se qasja e Rugovës ishte me dy fjali, dhe ndërkombëtarët – që e dinin këtë tashmë – donin dikë tjetër që kishte rol të rëndësishëm.
“Çdo bisedë që një ndërkombëtar kishte me Presidentin Rugova fillonte dhe përfundonte me dy fjali. Pavarësi, mos-përdorim i forcës. Mirë, le të diskutojmë këtë e atë: ‘Pavarësi, mos-përdorim i forcës’. Presidenti Rugova luajti një rol të rëndësishëm në Rambuje duke përfaqësuar popullin e Kosovës”, tha ai.
Amerikanët, bashkësia ndërkombëtare, sipas tij, “do të ishin thellësisht të frustruar nëse do të duhej të negocionin me të [Rugovën] drejtpërdrejt si kreu i delegacionit”.
“Pra, me atë rol, prezenca e tij ishte shumë e rëndësishme. Ai mishëronte pacifizmin, ai mishëronte aspiratën për pavarësi”, shtoi.
Rugova, sipas profesorit amerikan, “nuk negocionte, nëse kjo ndihmon”.
“Pse? Pra, kjo është një dimension. Dimensioni tjetër është se kishte një kaleidoskop, ndryshues realitetesh politike dhe të tjera në terren”, potencoi Williams në ditën e dytë të dëshmisë së tij në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, si dëshmitar i mbrojtjes.
“Dhe nëse shqiptarët do të kishin ardhur dhe thënë, e dini, Bujar Bukoshi, Kryeministri, e dini, Ibrahim Rugova, tani do të negociojmë, ndërkombëtarët do të kishin thënë: Ku janë aktorët e armatosur jo-shtetërorë?”.
“Ata po luajnë një rol. Nëse negociojmë me ju, sigurisht do të arrijmë një marrëveshje, do të thotë pavarësi, por do të jetë një Potemkin, do të jetë, do të jetë false. Ju duhej ai kombinim i të gjithë aktorëve të pranishëm në atë kohë. UÇK-ja shihej si një dimension thelbësor i strukturës politike të Kosovës”, deklaroi ai.