Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), do të mblidhen këtë të mërkurë në Kuvendin e Kosovës, duke kërkuar që të mbahet seanca konstituive e Kuvendit.

Grupi Parlamentar i PDK-së, i dërgoi të martën kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, që të mërkurën ta thërrasë vazhdimin e seancës për konstituimin e legjislativit të dalur nga zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, por që nuk ka marrë një përgjigje nga ai.

Në letrën e saj, PDK-ja ka thënë se moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit kushtetues tashmë ka krijuar një situatë të rëndë të shkeljes kushtetuese, por kanë shtuar se pavarësisht shkelës së afatit nuk shuhet detyrimi për konstituimin e Kuvendit.

Duke e thirrur seancën të mërkurën, nga PDK i kanë thënë Deharit se “keni mundësinë dhe detyrimin që të parandaloni një shkelje të radhës dhe të mundësoni vazhdimin e procesit të konstituimit të Kuvendit”.

Nga partia më e madhe opozitare kanë njoftuar se pavarësisht se a e thirr apo jo Dehari seancën, ata do të jenë në sallën e Kuvendit, në orën 11:00.

PDK u ka bërë thirrje edhe grupeve të tjera parlamentare që të marrin pjesë në këtë seancë, por që deri më tani nuk ka pasur ndonjë qëndrim nga partitë e tjera.

Sipas Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës duhej që të konstituohej 30 ditë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore. Kjo datë i bie që të ishte 7 gushti.

Por, nuk u konstituua. Lëvizja Vetëvendosje, si subjekti më i madh në vend, nuk propozoi kandidat për Kryetar, ndonëse i kishte votat për ta zgjedhur.

Kurti kërkoi kohë shtesë për të arritur marrëveshje politike me ndonjërën prej partive të tjera për të formuar të gjitha institucionet e tjera, posaçërisht atë të Presidentit.

Kjo kërkesë e tij, iu aprovua menjëherë nga Dehari, i cili madje edhe e pranoi se e ka shkelur Kushtetutën me thirrjen e seancës pas afatit 30 ditor dhe se e ka shkelur Rregulloren e Kuvendit duke mos e thirrur çdo 48 orë seancën, por që nuk i duk problematike pasi që tha se nuk ka sanksione.