Për shkak të moshës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Avni Dehari, që katër herë është duke e udhëhequr seancën konstituive të Kuvendit. Fillimisht në 2021-në, pastaj në 2025-në dhe që dy herë në 2026-në. Ndonëse procedurat janë të qarta e të thjeshta, Dehari, me direktiva të VV-së dhe Kryetarit të saj, Albin Kurti, është duke e shkelur Kushtetutën që disa herë.

Fillimisht, Avni Dehari e kishte shkelur Kushtetutën kur kishte ndryshuar procedurën e votimit për Kryetar të Kuvendit – nga i hapur në votim të fshehtë. Kjo kishte ndodhur gjatë seancave të shumta konstituive pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025.

Pasi që VV-ja nuk po mundej që ta zgjidhte Kryetarin e Kuvendit me votim të hapur për shkak se nuk i kishte 61 votat e nevojshme, Dehari në mënyrë kundërkushtetuese kishte propozuar që të ndryshohet votimi.

Se kjo ka qenë anti-kushtetuese e kishte konstatuar Gjykata Kushtetuese në vendimin e 8 gushtit, ku kishte vendosur njëzëri për këtë.

Kjo sepse ai nuk kishte vepruar në përputhje me “Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, të 26 qershorit 2025”.

Gjatë këtyre seancave, VV-ja, si partia më e madhe, kishte propozuar dhjetëra herë Albulena Haxhiun për Kryetare të Kuvendit. Por, edhe këtu Kushtetuesja kishte konstatuar shkelje, pasi që një kandidat mund të propozohet vetëm tri herë për kryetar Kuvendi e jo më shumë.

Sipas këtij vendimi, kryesuesi i seancave obligohet “të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjidhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë”.

Shkelje tjetër, Dehari bëri para disa ditësh, kur ftoi seancën e radhës për konstituimin e Kuvendit në një datë kur përfundon afati 30 ditor kushtetues për konstituimin e Kuvendit.

Seanca konstituive pas certifikimit të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit ishte ftuar më 6 gusht. Ndonëse i kishin votat, VV-ja nuk propozoi kandidat për Kryetar të Kuvendit.

Kryetari i saj, Albin Kurti, doli në foltore të Kuvendit dhe tha se kërkon kohë që të vazhdojë bisedimet politike me partitë e tjera për arritjen e një marrëveshje për formimin e të gjitha institucioneve: Kuvendin, Qeverinë dhe Presidentin.

Pa befasi, Dehari u bind dhe e ndërpreu seancën.

Afat kushtetues kishte mbetur edhe një ditë. Pra, sipas Kushtetutës, Dehari duhej të thërriste seancën më 7 gusht.

Por, nuk e bëri. E thirri më 8 gusht.

Kështu e shkeli hapur Kushtetutën e Kosovës, pasi që akti më i lart juridik dhe aktgjykimi i kësaj gjykate i 26 qershorit 2025 e përcakton qartë se Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës nuk duhet vetëm të fillojë më së largu 30 ditë nga certifikimi i rezultateve zgjedhore, por duhet të përfundojë brenda këtij afati.

Neni 66 i Kushtetutës së Kosovës thotë: “Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve”.

Kurse, e bën edhe më të qartë paragrafi 140 i aktgjykimit, i cili thotë “…Gjykata vlerëson se afati 30 (tridhjetë) ditor i përcaktuar nga kushtetutbërësi në paragrafin 1 të nenit 66, nuk mund të trajtohet si afat brenda të cilit vetëm duhet provuar konstituimi i Kuvendit, porse ky afat… …është afat brenda të cilit duhet të konstituohet Kuvendi”.

Rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit u certifikuan më 8 korrik 2026. Deri të premten e 7 gushtit ishin fiks 30 ditë nga certifikimi i rezultatit dhe ishte dita e fundit kur mund të konstituohej Kuvendi.

Përkundër se e shkelën Kushtetutën, seanca që u ftua për të shtunën e 8 gushtit u mbajt. Mori pjesë edhe opozita, ndonëse e cilësuan si “cenim të rendit kushtetues”.

Avni Dehari është babai i dy aktivistëve të ndjerë të VV-së: Astrit dhe Arbënor Dehari.

Më 2 dhjetor të vitit 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda – e kishte dënuar Deharin, pasi që plakut të VV-së i ishte gjetur një arsenal i tërë i armësh në shtëpi.

Ndër të tjera, atij i ishin gjetur revole “Cervena Zastava”, sprej për sy, kallash AK47, snajper anglez, karikatorë e fishekë.

Që nga koha kur Vetëvendosje është në pushtet, kjo parti shkeljen e Kushtetutës e ka bërë normë qeverisëse.

Janë dhjetëra raste kur Qeveria e drejtuar nga Kurti ka marrë vendime që nuk kanë qenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.