Avni Dehari, kryesues i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e ka pranuar se e ka shkelur Kushtetutën me thirrjen e seancës pas afatit 30 ditor dhe se e ka shkelur Rregulloren e Kuvendit duke mos e thirrur çdo 48 orë seancën, por që nuk i duket problematike pasi që thotë se nuk ka sanksione.
“Ato parashihen po nuk ka sanksione”, tha Dehari për gazetarë nga Kuvendi i Kosovës.
Ai e bën edhe një interpretim të cuditshëm, duke theksuar se “derisa nuk ka sanksione nuk mund të quhet shkelje”.
Të gjitha këto shkelje, Dehari po i bën, sipas tij, për të gjetur një zgjidhje politike.
“Dhe kjo po bëhet jo për të mos respektuar Rregulloren ose Kushtetutën, por për ta gjetur një zgjidhje. Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, 57 herë nëse s’gaboj mbajtëm seancë. Edhe nuk sollën kurrfarë rezultati. Çfarë kuptimi do të kishte tash për shembull të mbajmë seanca njërën pas tjetrës edhe prapë të mos ketë rezultate”, potencoi ai ndër të tjera.









