Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, duke komentuar rastin e përleshjes në Skenderaj në mes të Kryetarit të kësaj komune, Sami Lushtaku, dhe Kryetarit të degës së Vetëvendosjes atje, Hysni Mehani, ka thënë se veprime të tilla “nuk na trembin”.

Në mbledhjen e Qeverisë të enjten, Kurti theksoi se Mehani u sulmua me grushte dhe u godit me gotë në kokë, derisa e dënoi këtë, siç e quajti ai, “sulm qyqar” me “mendësi banditeske”.

“Hysni Mehani u sulmua me grushte dhe u godit në kokë me gotë teksa po pinte kafe me deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistë të tjerë. Qeveria e Kosovës e dënon këtë sulm qyqar dhe të papranueshëm që shpërfaqë mendësinë banditeske”, deklaroi Kurti.

Veprimet e tilla, vazhdoi ai, “nuk na trembin e nuk na shtyjnë të tërhiqemi nga gara politike në asnjë qytet”.

“Nga kjo mbledhje, u bëjmë thirrje institucioneve dhe organeve të rendit e të drejtësisë që me urgjencë të ndërmarrin veprimet e nevojshme ndaj përgjegjësve për këtë sulm”, potencoi Kurti.