Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar fotografi të kryetarit të degës së tyre në Skenderaj, Hysni Mehani, i cili shihet se ka disa plagë në kokë dhe fytyrë.

Ata kanë thënë se Mehani është sulmuar nga Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe truprojat e tij.

“Sot, në kafeterinë ‘Solo’ në qendër të Skenderajt, është sulmuar brutalisht nga Kryetari i Komunës së Skenderajt Sami Lushtaku dhe truprojat e tij, zëvendësministri i Ministrisë së Financave, kandidati për deputet dhe Kryetari i Qendrës së LVV-së në Skenderaj, Hysni Mehani. Ky sulm fizik ndodhi në kohën kur z. Mehani ishte duke pirë kafe me deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistë të LVV-së”, thanë nga VV.

Fillimisht, sipas tyre, Hysni Mehani është “goditur me grusht, ndërsa më pas edhe me gotë në kokë”. “Pas përpjekjes së Sekretari të Qendrës, Bahri Zabeli për të parandaluar përshkallëzimin është sulmuar dhunshëm nga shoqëruesit e Sami Lushtakut edhe ai duke pësuar goditje të rënda. Hysni Mehani aktualisht është duke marrë trajtim mjekësor”.

“Ky sulm fizik bandistesk tregon qartë për se këta njerëz nuk e kanë vendin në udhëheqje të institucione publike qendrore e lokale. Kërkojmë nga organet kompetente të trajtojnë rastin me urgjencë dhe ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore ndaj përgjegjësve”, potencojnë ata.

VV ka kërkuar nga Partia Demokratike e Kosovës, pjesë e të cilës është Lushtaku, dënimin e këtij rasti.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! dënon ashpër këtë sulm fizik, por njëkohësisht u tregon gjithë këtyre se nuk mund ta trembin as ta frikësojnë asnjë aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! e qytetar të Republikës”.