Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka thënë se pushteti i Albin Kurtit, “përmes mekanizmave të tij tentoi që sot të më sulmojë në Skenderaj”.
Këto komente, Lushtaku i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi që Kryetari i Degës së Vetëvendosjes në Skenderaj, njëherit edhe zëvendësministër në Ministrinë e Ekonomisë, Hysni Mehani, tha se u sulmua nga kreu i Skenderajt.
“Pushteti i Albin Kurtit përmes mekanizmave të tij tentoi që sot të më sulmoj në Skenderaj. E kam një jetë në shërbim të vendit kurse etiketat si ‘Sami Serbia’ qytetarët nuk i tolerojnë më prandaj edhe reaguan!”, theksoi Lushtaku.
Para disa minutash, Mehani theksoi se është sulmuar nga Lushtaku dhe “banda e tij”. “Telefonin personal ma kanë marrë. Lus policinë të mbroj familjen time dhe ftoj familjarët për përmbajtje”, pohoi ai.









