Kryetari i Degës së Vetëvendosjes në Skenderaj, Hysni Mehani, ka thënë se është sulmuar nga Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku.

Kështu ka njoftuar ai përmes një postimi në Facebook, që është bërë nga një i afërm i tij, Bahri Zabeli, i cili ka transmetuar fjalët e Mehanit.

“Të dashur miq jam sulmuar nga Sami Lushtaku dhe banda e tij. Telefonin personal ma kanë marrë. Lus policinë të mbroj familjen time dhe ftoj familjarët për përmbajtje”, ka shkruar ai.

VOX Kosova ka biseduar me mjekun kujdestar të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Skenderaj, Flamur Meziu, i cili theksoi se lëndimet e Mehanit janë të lokalizuara në kokë.

“Policia na ka lajmëruar. Ekipa ka shkuar në vendngjarje dhe e ka dhënë ndihmën e parë. Lëndimet janë të lokalizuara në pjesën e kokës. Tjetërkund nuk ka pasur lëndime, vetëm një gërvishtje në krah, jo diçka”, tha ai për VOX Kosova.

Ai tregoi se Mehani është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal në Mitrovicë.