Një raport nga Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Odës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit (BHRC) ia ka trazuar ujërat Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Nga një gjendje indiferente, shpesh edhe arrogante ndaj çdo kritike që vinte nga Kosova për shkeljen e të drejtave të njeriut, raporti britanik e ka futur në panik këtë institucion gjyqësor.
Specialja po përpiqet të arsyetohet duke paraqitur infrastrukturën ligjore për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut.
Të enjten, në platformën e tyre në X, publikuan një nen ligjor që garanton edhe financim të mbrojtjes në rastet kur i akuzuari nuk ka mundësi ta bëjë atë.
Article 21 of the KSC Law guarantees the presumption of innocence for an accused, and lists the other rights afforded to an accused throughout the judicial process. This includes the right to be represented by a counsel of your choosing during trial. The KSC has a legal aid… pic.twitter.com/3Gbk5HN0Hw
— Kosovo Specialist Chambers (@SpecialChambers) May 14, 2026
Por, siç kanë konstatuar edhe ekspertët prestigjiozë britanikë, ndihma juridike është zvogëluar në vlerë në mënyrë drastike dhe kjo është bërë në mënyrë të njëanshme.
“Rregullorja e DhSK-së për ndihmë juridike u ndryshua në shkurt 2024 me qëllim uljen e ndjeshme të tarifave të ndihmës juridike në procedurat penale për shpërfillje. Shoqata e Avokatëve Mbrojtës, që janë të angazhuar para Gjykatave dhe Tribunalëve Ndërkombëtare (ADC-ICT), shprehu shqetësim se kjo ulje, të cilën e vlerësoi në rreth 60-74%, ishte vendosur në mënyrë të njëanshme, pa konsultim me avokatët e listuar pranë DhSK-së apo me komunitetin më të gjerë juridik, dhe paralajmëroi se cenon të drejtën e të akuzuarit për gjykim të drejtë dhe rrezikon përfaqësimin efektiv”, shkruante BHRC-ja në raportin e saj prej 90 faqesh.
Në të vërtetë, ajo çfarë po bën Specialja me këtë fushatë pas raportit është thjesht një lexim teorik i gjendjes së të drejtave të njeriut në procesin kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Këtë e konstaton edhe BHRC-ja.
“Ai (raporti) konstaton se, megjithëse korniza formale juridike e Dhomës është gjerësisht solide dhe në shumë aspekte e harmonizuar me normat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, shqetësime të rëndësishme lindin në funksionimin praktik të saj. Këto përfshijnë pengesa strukturore për lirimin e përkohshëm, boshllëqe në mekanizmat për kundërshtimin e emërimeve gjyqësore dhe vendimeve administrative, tensione të krijuara nga praktikat e administrimit të provave (veçanërisht lidhur me materiale të patestuara ose të siguruara nga burime të jashtme), si dhe pabarazi procedurale dhe në burime që ndikojnë mbrojtjen”, thuhet në një reagim të BHRC-së para dy ditësh, si përgjigje ndaj një deklarate të Speciales karshi raportit.
Në deklaratën reaguese ndaj raportit, Specialja u përpoq të mos futej fort në konflikt me BHRC-në dhe nuk dha shpjegim të detajuar mbi gjetjet për shkelje serioze. Ata e sulmuan Avokatin e Popullit të Kosovës “për interpretime të rreme”.
BHRC-ja, në reagimin e vet, u përgjigj se puna e tyre në këtë raport ishte tërësisht e pavarur, metodologjia e hulumtimit shkencore dhe se Avokati i Popullit ishte veç iniciues e jo ndikues, shkruan VOX Kosova.
“I kryer me një theks të qëllimshëm mbi pavarësinë — pa input nga institucioni porositës — shqyrtimi përdor një metodologji doktrinare, të bazuar në analizë dokumentesh dhe burimesh juridike primare, jurisprudencë dhe angazhim të informuar me praktikues të së drejtës”, thuhej në reagimin e avokatëve britanikë.









