Dhomat e Specializuara të Gjykatës në Hagë kanë nënçmuar gjetjet dhe konstatimet e organizatës britanike “The Bar Human Rights Committee of England and Wales” lidhur me shkeljet që Gjykata Speciale ka bërë kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në një reagim të publikuar në uebfaqen zyrtare, Gjykata është vënë në sulm ndaj Avokatit të Popullit, për llogari të së cilit edhe u hartua raporti nga organizata britanike.
“Gjithashtu, Dhomat e Specializuara vlerësojnë se disa interpretime të raportit të Komitetit të të Drejtave të Njeriut të Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit, të bëra nga Avokati i Popullit i Kosovës, janë në mospërputhje me raportin, nuk pasqyrojnë saktë përmbajtjen dhe përfundimet e raportit, dhe rrjedhimisht krijojnë një imazh të rremë të Dhomave të Specializuara. Në kundërshtim me deklaratat publike të Avokatit të Popullit në Kosovë, Komiteti i të Drejtave të Njeriut i Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit nuk ka konstatuar se ndonjë prej vendimeve të gjykatësve të Dhomave të Specializuara ka shkelur të drejtat e njeriut të të akuzuarve”, thuhet në reagim.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) janë institucion gjyqësor i pavarur. As Avokati i Popullit i Kosovës, as Komiteti i të Drejtave të Njeriut i Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit nuk kanë të drejtën e paraqitjes së parashtrimeve në Dhomat e Specializuara”, thotë Specialja.
Duke cituar korniza ligjore, Dhomat e Specializuara thonë se ky raport nuk do të ndikojë në të ardhmen në asnjë aktivitet në Gjykatë, që nënkupton se gjetjet e tij nuk do të merren fare parasysh.
“Duke pasur parasysh këtë kornizë kushtetuese, raporti i Komitetit të të Drejtave të Njeriut i Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit, i porositur nga Avokati Popullit, nuk ndikon dhe nuk do të ndikojë në aktivitetin gjyqësor të Dhomave të Specializuara”, thonë tutje DHSK.
Specialja shkon edhe më tej. Aludon, se disa pika në raportin e Organizatës “janë përsëritje e argumenteve të mbrojtjes para gjykatësve”, duke anashkaluar krejtësisht faktin se një sasi e konsiderueshme e provave kundër katërshes së UÇK-së vijnë nga Serbia, për të cilët, organizata britanike tha se “cenojne standardet e drejtësisë në Hagë”.
DHSK nuk reagoi as për gjetjet e raportit i cili vëren se gjyqtarët nuk po kufizohen në rolin e arbitrit neutral, por po ndërhyjnë aktivisht në ndërtimin e çështjes. Ata kanë bërë dhjetëra orë pyetje ndaj dëshmitarëve, shpesh përtej asaj që ka paraqitur vetë prokuroria. Në disa raste, sipas raportit, gjyqtarët kanë përdorur dokumente që nuk ishin pjesë e provave të pranuara, madje edhe materiale të marra nga interneti, pa njoftim paraprak për mbrojtjen. Një praktikë e tillë, thuhet në raport, “krijon kushtet që trupi gjykues të funksionojë si një prokuror i dytë”.
Raporti me gjetjet e organizatës britanike tanimë është dërguar tek zyrtarë në Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.









