Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Odës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit (BHRC) ka lëshuar një komunikatë sqaruese për raportin e tyre për shkeljet në Gjykatën Speciale – dhe kjo kur Specialja të hënën reagoi karshi raportit, duke e akuzuar më shumë Avokatin e Popullit të Kosovës sesa vetë hartuesit e tij.
Komiteti sqaron se raporti është përgatitur “pa ndërhyrje apo input nga institucioni inicues”.
Për më tepër, BHRC ka sqaruar edhe metodologjinë e punës që ka përdorur në hartimin e tij.
“Shqyrtimi përdor një metodologji doktrinare dhe të bazuar në analizë dokumentare, të mbështetur në burime primare juridike, jurisprudencë dhe angazhim të informuar me praktikues të fushës. Edhe pse i paraqitur shprehimisht si një ushtrim “paraprak”, raporti identifikon një sërë temash thelbësore për legjitimitetin e drejtësisë penale ndërkombëtare bashkëkohore, përfshirë të drejtat e të akuzuarve, pavarësinë gjyqësore, drejtësinë provuese dhe barazinë e armëve”, thuhet në sqarimin e komitetit britanik.
Sipas BHRC, raporti thekson natyrën sui generis të gjykatës.
“Formalisht një institucion vendor i krijuar sipas ligjit të Kosovës, por i përbërë nga gjyqtarë ndërkombëtarë, i financuar dhe i ndikuar nga aktorë ndërkombëtarë, dhe me seli në Hagë. Ky dizajn hibrid dhe, në disa aspekte, kontradiktor nga brenda, krijon sfida të veçanta, sidomos në raport me legjitimitetin, llogaridhënien dhe marrëdhënien ndërmjet standardeve ndërkombëtare dhe traditave juridike vendore. BHRC thekson se fokusi i ngushtë i DhSK-ve mbi ish-udhëheqësit e UÇK-së, përbërja ekskluzivisht ndërkombëtare e trupit gjykues, si dhe mbështetja në financim dhe mekanizma emërimi nga jashtë, janë bërë burime të vazhdueshme polemikash, duke ngritur pyetje si për perceptimin ashtu edhe për realitetin e pavarësisë dhe paanshmërisë”, theksojnë ata.
Ani pse korniza ligjore është e fortë, thonë nga Komiteti, në praktikë ka shqetësime serioze për zbatimin e saj, shkruan VOX Kosova.
“Këto përfshijnë pengesa strukturore për lirimin e përkohshëm, mungesa në mekanizmat për kundërshtimin e emërimeve gjyqësore dhe vendimeve administrative, tensione të krijuara nga praktikat provuese (veçanërisht lidhur me materiale të patestuara ose të siguruara nga burime të jashtme), si dhe pabarazi procedurale dhe në burime që ndikojnë mbrojtjen”, thuhet nga BHRC.
Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Odës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit ka përsëritur rekomandimet, që sipas tyre, do të ndihmonin në zbatimin e standardeve të kërkuara.
“Ndër më kryesoret janë propozimet për ndryshimin e kornizës procedurale në mënyrë që të lejohen kundërshtime kuptimplota ndaj funksioneve administrative dhe gjyqësore të Presidentit, si dhe vendosja e protokolleve të qarta që rregullojnë komunikimet – siç janë informimet diplomatike – për të siguruar njoftim, zbulim të informacionit dhe, kur është e përshtatshme, pjesëmarrje të mbrojtjes. BHRC gjithashtu rekomandon një shqyrtim gjyqësor më rigoroz të materialeve provuese, sidomos kur prejardhja ose zinxhiri i ruajtjes së provave kontestohet, krahas rritjes së transparencës lidhur me marrëdhëniet me shtetet financuese dhe aktorë të tjerë të jashtëm. Së fundi, raporti thekson nevojën për monitorim të vazhdueshëm dhe të pavarur të gjykimeve, duke e identifikuar atë si thelbësor për vlerësimin e ndikimit kumulativ të praktikave procedurale – veçanërisht në raport me barazinë e armëve dhe drejtësinë provuese – dhe për të siguruar që DhSK-të i përmbushin standardet e larta të drejtësisë të kërkuara si nga korniza kushtetuese e Kosovës, ashtu edhe nga e drejta ndërkombëtare e të drejtave të njeriut”, thuhet aty.









