Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, i ka kërkuar debat Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe të gjithë kabinetit të tij.

Pas paraqitjes së Kurtit të dielën në emisionin Politiko në Kanal 10, Bajrami, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se është e gatshme të demantojë secilën “të pavërtetë” që e tha dhe atë, thekson se do ta bënte me dokumente të Qeverisë së tij.

“Po gënjen publikisht. E di që Albin Kurti nuk vjen në përballje me mua, por ju garantoj se do t’i dilja përballë jo vetëm atij, por edhe krejt kabinetit të tij qeverisës bashkë”, shkroi Bajrami.

“Dhe ju garantoj se me fakte dhe me dokumente të qeverisë së tij, jam në gjendje ta demantoj secilën të pavërtetë që po e thotë sonte. Secilën”, shtoi ajo.

Prandaj, sipas saj, Kurti “ikë nga përballja, sepse propaganda rrëzohet kur përballet me fakte”.

Tani që fushata për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit ka hyrë në javën e fundit, partitë politike kanë intensifikuar kritikat ndaj njëra tjetrës.

Kurti dhe Vetëvendosja po e akuzojnë ish-opozitën si bllok opozitar dhe se janë të interesuara që “ta bllokojnë” punën e kabinetit të tij.

Nga ana tjetër, partitë e ish-opozitës: Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, po e akuzojnë Kurtin dhe VV-në për krijim të krizave të vazhdueshme.