Sipas Kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, Prokuroria nuk ka nevojë që të jetë e pavarur nga Qeveria.
Këto komente, Kurti i bëri në një intervistë për emisionin Politiko në Kanal 10, derisa po e sulmonte Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
“Prokuroria nuk është e pavarur realisht nga Qeveria edhe në plot vende evropiane. Gjyqësori është ai. Por tash ne e kemi një situatë ku kemi njëfarë pushteti politik në Prokurori, i cili ia heq urdhërarrestin kryekriminelit Radojçiç”, deklaroi Kurti.
Duke e sulmuar Isufajn, Kurti u shpreh kategorikisht kundër që ai të bëhet Kryeprokuror i Shtetit, madje, aludoi se edhe dikush po e shtyen Isufajn që të insistojë për ta marrë këtë pozitë.
“Unë po them që ky nuk bën [Blerim Isufaj]. Unë nuk po them ky duhet. 200 prokurorë i ka Kosova, asnjëherë nuk kam thënë se filani ose fistekja duhet të bëhen. Veç unë po them që ky nuk bën. Ky që e ka lëshu Radojicicin nuk bën. Ky ia ka heq urdhërarrestin Radojçiçit. Nuk bën ky me u bë Kryeprokuror”, tha Kurti.
Madje, sipas Kurtit edhe vetë Isufaj “e di që nuk bën” të bëhet Kryeprokuror i Shtetit.
“Është shumë interesant që po insiston. Kush qëndron prapa atij personi që e shtyn të insiston, ose a është aq irracional saqë pavarësisht që tre krerët shtetërorë, publikisht janë deklaruar kundër tij, ai insiston të bëhet kryeprokuror. Thellësisht nuk është në rregull”, potencoi ai ndër të tjera.









