Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka sulmuar sërish Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, duke thënë se ai nuk duhet të bëhet Kryeprokuror i Shtetit, madje, aludoi se edhe dikush po e shtyen Isufajn që të insistojë për ta marrë këtë pozitë.
“Unë po them që ky nuk bën [Blerim Isufaj]. Unë nuk po them ky duhet. 200 prokurorë i ka Kosova, asnjëherë nuk kam thënë se filani ose fistekja duhet të bëhen. Veç unë po them që ky nuk bën. Ky që e ka lëshu Radojicicin nuk bën. Ky ia ka heq urdhërarrestin Radojçiçit. Nuk bën ky me u bë Kryeprokuror”, tha Kurti në një intervistë në emisionin Politiko në Kanal 10.
Madje, sipas Kurtit edhe vetë Isufaj “e di që nuk bën” të bëhet Kryeprokuror i Shtetit.
“Është shumë interesant që po insiston. Kush qëndron prapa atij personi që e shtyn të insiston, ose a është aq irracional saqë pavarësisht që tre krerët shtetërorë, publikisht janë deklaruar kundër tij, ai insiston të bëhet kryeprokuror. Thellësisht nuk është në rregull”, potencoi ai ndër të tjera.
Isufaj ishte propozuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të Shtetit në vitin 2022, por ai nuk është dekretuar, duke e lënë vendin tash e sa vjet me Ushtrues të Detyrës të Kryeprokurorit.
Kurti dhe vartësit e tij vazhdimisht janë deklaruar kundër Isufajt. Së fundmi, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, kërkoi proces të ri për Kryeprokurorin e Shtetit. Pas kësaj kërkese, KPK-ja shpalli konkurs të ri më 18 maj 2026. Por, pas këtij veprimi, Isufaj e paditi KPK-në, duke kërkuar që të anulohet vendimi i tyre.









