Brenda vetëm dy ditësh, Bashkimi Evropian i ka adresuar dy kritika ndaj institucioneve të Kosovës, duke ngritur shqetësime për respektimin e sundimit të ligjit dhe procedurave të rregullta ligjore.

Fillimisht, të martën, BE-ja shprehu shqetësim për vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe dekretimin nga Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, të largimit nga detyra të shtatë prokurorëve serbë që kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022.

“Bashkimi Evropian shpreh shqetësim për vendimin e djeshëm të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për të pranuar dorëheqjet, ndonëse ato ishin tërhequr më parë, si dhe për vendimin e sotëm të Ushtrueses së Detyrës së Presidentes për t’i dekretuar ato dorëheqje”, thuhet në reagimin e BE-së.

Ky vendim, sipas Unionit, “duket se nuk është në përputhje me ligjin, me parimin e procesit të rregullt ligjor (due process) dhe me kërkesat e përgjithshme të sundimit të ligjit në Kosovë”.

Nga ana tjetër, ata kanë theksuar se “mirëpresim tërheqjen, më 15 korrik 2026, të dorëheqjeve të paraqitura nga gjyqtarët, prokurorët dhe stafi mbështetës serb i Kosovës”.

Prokurorët, gjyqtarët dhe policët serbë ishin dorëhequr nga institucionet e Kosovës më 5 nëntor 2022, si shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për largimin e targave ilegale nga automjetet të cilat ishin lëshuar nga Serbia dhe zëvendësimin e tyre me ato të Kosovës.

Një ditë më pas, të mërkurën, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dënoi rrënimin e 11 shtëpive në zonën e Liqenit të Ujmanit, duke vlerësuar se autoritetet ndërmorën veprime përderisa banorët kishin nisur procedura gjyqësore. BE kërkoi ndalimin e menjëhershëm të rrënimit të mëtejshëm.

“Bashkimi Evropian në Kosovë dënon rrënimin e djeshëm të shtëpive në Liqenin e Ujmanit, i cili është kryer ndërkohë që banorët e prekur kishin iniciuar procedura gjyqësore brenda afatit 15-ditor të përcaktuar në njoftimet e ndërmarrjes publike Ibër-Lepenc për lirimin dhe pastrimin e tokës”, thuhet në reagimin e Zyrës së BE-së.

BE-ja, theksohet aty, “është e shqetësuar për mungesën e respektimit të procedurës së rregullt ligjore në këtë rast, si dhe në disa raste të tjera të fundit në veri të Kosovës që nga shkurti i këtij viti”.

“Ajo bën thirrje për ndalimin e menjëhershëm të çdo rrënimi të mëtejshëm, largimi të detyruar apo marrjeje në posedim, derisa shqetësimet që lidhen me procedurën e rregullt ligjore, proporcionalitetin, të drejtat pronësore, të drejtat e njeriut dhe mjetet juridike efektive të adresohen në mënyrë adekuate”.

Në përputhje me rrugën evropiane të Kosovës, BE-ja thekson se pret që Kosova “t’i trajtojnë këto shqetësime me urgjencë dhe transparencë, si dhe të sigurojnë që veprime të ngjashme të mos përsëriten”.