Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë se e “dënon” aksionin e autoriteteve të Kosovës për rrënimin e 11 shtëpive në zonën e pushimit në Liqenin e Ujmanit, që nisi të martën. Nga BE kanë kërkuar që të ndalohet çdo rrënim i mëtejshëm.

“Bashkimi Evropian në Kosovë dënon rrënimin e djeshëm të shtëpive në Liqenin e Ujmanit, i cili është kryer ndërkohë që banorët e prekur kishin iniciuar procedura gjyqësore brenda afatit 15-ditor të përcaktuar në njoftimet e ndërmarrjes publike Ibër-Lepenc për lirimin dhe pastrimin e tokës”, thuhet në reagimin e zyrës së BE-së.

BE-ja, theksohet aty, “është e shqetësuar për mungesën e respektimit të procedurës së rregullt ligjore në këtë rast, si dhe në disa raste të tjera të fundit në veri të Kosovës që nga shkurti i këtij viti”.

“Ajo bën thirrje për ndalimin e menjëhershëm të çdo rrënimi të mëtejshëm, largimi të detyruar apo marrjeje në posedim, derisa shqetësimet që lidhen me procedurën e rregullt ligjore, proporcionalitetin, të drejtat pronësore, të drejtat e njeriut dhe mjetet juridike efektive të adresohen në mënyrë adekuate”.

Aty theksohet se autoritetet e Kosovës “duhet të angazhohen pa vonesë me banorët dhe komunat e prekura dhe të shqyrtojnë zgjidhje në përputhje me ligjin”.

“Roli i Policisë së Kosovës në operacione të tilla duhet të mbetet rreptësisht brenda mandatit të saj ligjor, të bazohet në kërkesa ose vendime të qarta të autoriteteve kompetente dhe të dokumentohet siç duhet”.

“Masat e pakthyeshme të zbatimit në kuadër të procedurave që janë ende në zhvillim dhe pretendimeve të kontestuara pronësore ngrenë shqetësime serioze për sundimin e ligjit”.

Në përputhje me rrugën evropiane të Kosovës, BE-ja thekson se pret që Kosova “t’i trajtojnë këto shqetësime me urgjencë dhe transparencë, si dhe të sigurojnë që veprime të ngjashme të mos përsëriten”.