Bashkimi Evropian ka shprehu shqetësim në lidhje me vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për largimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë që kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022, vendim që u dekretua të martën nga Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu. Madje, e ka vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e dekretit.
“Bashkimi Evropian shpreh shqetësim për vendimin e djeshëm të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për të pranuar dorëheqjet, ndonëse ato ishin tërhequr më parë, si dhe për vendimin e sotëm të Ushtrueses së Detyrës së Presidentes për t’i dekretuar ato dorëheqje”, thuhet në reagimin e BE-së.
Ky vendim, sipas Unionit, “duket se nuk është në përputhje me ligjin, me parimin e procesit të rregullt ligjor (due process) dhe me kërkesat e përgjithshme të sundimit të ligjit në Kosovë”.
Nga ana tjetër, ata kanë theksuar se “mirëpresim tërheqjen, më 15 korrik 2026, të dorëheqjeve të paraqitura nga gjyqtarët, prokurorët dhe stafi mbështetës serb i Kosovës”.
“Sipas Kushtetutës së saj, Kosova është një shoqëri shumetnike e bazuar në sundimin e ligjit dhe sistemi i saj i drejtësisë duhet të pasqyrojë përbërjen etnike të vendit. BE i ka bërë vazhdimisht thirrje Kosovës që të mundësojë riintegrimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe personelit mbështetës serb të Kosovës, në përputhje me legjislacionin e Kosovës dhe marrëveshjet e arritura në kuadër të Dialogut”, thuhet tutje.
Prokurorët, gjyqtarët dhe policët serbë ishin dorëhequr nga institucionet e Kosovës më 5 nëntor 2022, si shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për largimin e të targave ilegale nga automjetet të cilat ishin lëshuar nga Serbia dhe zëvendësimin e tyre me ato të Kosovës.









