Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka nënshkruar dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve të komunitetit serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022.

“Pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022, kam nënshkruar dekretet për lirimin e tyre nga detyra”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Haxhiu ka thënë se nënshkrimi i dekreteve përmbyll një proces dis-vjecar dhe zbaton vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, duke shtuar se kjo është në përputhje me kornizën kushtetuese dhe ligjore të Kosovës.

“Me këtë akt përmbyllet një proces i zgjatur për vite me radhë dhe zbatohet vendimi i institucionit kompetent, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, ka potencuar Haxhiu.

Shtatë prokurorët dhanë dorëheqje në vitin 2022 në shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për largimin nga përdorimi të targave të automjeteve të lëshuara nga Serbia dhe zëvendësimin e tyre me targa të Kosovës.

Së fundi, Këshilli Prokurorial i Kosovës pranoi afër njëzetë kërkesa nga prokurorë dhe anëtarë të stafit mbështetës nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë për tërheqjen e dorëheqjeve të paralajmëruara më parë.