Valon Prebreza ka probleme serioze me gjuhën shqipe. Ose, gjuha shqipe me të. Ai nuk e dallon shumësin me njëjësin, nuk e di që emrat e shteteve dhe institucioneve shkruhen me shkronja të mëdha, nuk e njeh rolin e shenjave të pikësimit, dhe ka vështirësi edhe në ndërtimin e një fjalie të qartë.

Mënyra e tij e komunikimit me publikun nuk e shpërfaq vetëm mungesën e përgatitjes së tij profesionale, por tregon mungesë respekti edhe për qytetarin.

Si Kryetar i ri i Fushë Kosovës, duket se nuk ka investuar as në staf që do ta ndihmonte ta kamuflonte paaftësinë e tij në paraqitjet publike.

Në një postim të shkurtër në faqen e tij në Facebook, Valon Prebreza e ka sakatuar gjuhën shqipe me gabime elementare.

“Kandidatë”, “jasht”, “shëndetësis”, janë vetëm disa nga gabimet drejtshkrimore të Prebrezës, që i ka bërë në një postim mbështetës për mikun e tij, Naim Bardiqi, i cili është kandidat për deputet të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Në fjalinë e parë, pos gabimeve drejtshkrimore, ai e ka gabuar edhe shenjën e pikësimit në fund të fjalisë. Duke qenë fjali pohore, do duhej që të përfundonte me pikë, por Prebreza ka vendosur pikëçuditëse. Kjo shenjë e pikësimit përdoret kur një fjali është nxitëse, thirrmore, dëshirore e urdhërore, jo kur është pohore.

Duke treguar numrin që ka në listën e VV-së miku i tij, Prebreza i referohet Bardiqit si “kandidatë” – fjalë kjo që shkruhet me “ë” në fund në raste të shumësit, pra kur kemi të bëjmë me më shumë se një kandidat. Forma e saktë për njëjës është “kandidat”, pa “ë”.

Gabimi tjetër është te fjala “kontribuar”. Kjo folje, e cila është në kohën e kryer, në formën e saktë shkruhet “kontribuuar”.

Por, ky nuk është gabimi i tij i vetëm në paragrafin e njëjtë. “Jasht” është gabimi i tij i radhës. Këtë ndajfolje e shkruan pa “ë” në fund, e cila në asnjë rrethanë nuk shkruhet pa “ë”. Pra, shkruhet “jashtë” dhe jo “jasht”.

Nuk mbaron me kaq.

Në po të njëjtin paragraf, Prebreza, shtetet si Gjermania e Austria, i shkruan me shkronjë të vogël – “gjermania”, “austria”. Pra, Prebreza nuk e di se shkronja e parë e emrave të shteteve shkruhet gjithmonë me të madhe, pa marrë parasysh se a është në fillim, në mes apo në fund të fjalisë.

Vazhdon edhe më tutje.

Brenda një emërtimi, Prebreza i bën tri gabime të tjera. Duke treguar për angazhimin e Bardiqit në Ministri të Shëndetësisë, kësaj të fundit i referohet “ministri të shëndetësis”. Gabimin e parë e ka kur e shkruan “ministri” me të vogël, të dytin kur e shkruan “shëndetësis” pa “ë” në fund, dhe gabimin e tretë kur e nis me shkronjë të vogël fjalën “shëndetësisë”. Pra, duhet “Ministri të Shëndetësisë”.

Edhe në këtë rast, Prebreza nuk e di se emrat e institucioneve shkruhen me të madhe.

Këso gabime ka ende. E shkruan emrin e një institucioni shkollor me shkronja të vogla dhe pa thonjëza. “george c marshall”, e shkruan Prebreza, ndërsa forma e saktë është “George C. Marshall”.

Në këtë postim, ka edhe fjali të ndërtuara keq, e gati të pakuptimta.

“Pas luftës, ka kontribuar si humanist në shërimin e fëmijëve në Kosovën e pasluftës falas, jasht vendit”, shkruan Prebreza këtë fjali e cila nuk kuptohet as logjikisht, as sintaksisht, se çfarë ka dashur të thotë.

“Dr. Bardiqi ka kryer shkollime…”, është fjalia tjetër që ka gabime. Kjo do duhej të ishte “ka kryer shkollim”, pasi që kjo fjalë, sikurse fjalët “arsim, edukim” etj, nuk marrin shumës, për shkak se numërohen si njësi të veçanta.

Gabimin tjetër e ka kur tregon për periudhën kohore që Bardiqi ka punuar si Sekretar i Ministrisë së Shëndetësisë. Ai shkruan se Bardiqi ka punuar “tetë vite”. Por, duhet të shkruhet “tetë vjet”, pasi që vetëm viti i parë është njëjës (1 vit), tjerët janë shumës (vjet).

Më pas, Prebreza e ka përmirësuar postimin e tij – sigurisht pasi që ia ka tërhequr vërejtjen dikush – por edhe aty – përsëri – ka lënë disa gabime.

VOX Kosova kishte raportuar se si Prebreza kishte falsifikuar CV-në e tij. Ai kishte shkruar se ka punuar në Kompaninë “Bashkimi Projekt sh.pk.”, por kjo është e pavërtetë, pasi që pronari i kompanisë në fjalë e kishte mohuar që Prebreza të ketë qenë punëtor i tij ndonjëherë.

VOX-i ka raportuar në vazhdimësi për punësimet partiake përmes Prebrezës në ndërmarrjet publike të Kosovës, gjatë kohës kur ky ushtronte detyrën e Drejtorit të Njësisë për Menaxhimin dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë.