Në CV-në e kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për Fushë Kosovë, Valon Prepreza, këtij që ka punësuar pothuajse të gjithë anëtarët e familjes përmes kontrollit të hekurt të ndërmarrjeve publike, thuhet se nga viti 2017 e deri në vitin 2022, ka punuar në Kompaninë “Bashkimi Projekt sh.pk.” në Prishtinë. Në sektorin privat. Aty, ka shkruar vetë Prebreza, ka punuar si “Udhëheqës i sektorit të Furnizimit me material ndërtimor”.
Më pas gjeta edhe një letër rekomandimi, nga kjo kompani, më saktësisht nga pronari i kompanisë, Abdurrahim Hasani, ku thuhet se kjo referencë vërteton se Valon Prebreza ka punuar si udhëheqës në kompaninë tonë. Madje, më poshtë thuhet edhe se “ne besojmë se i lartcekuri edhe në të ardhmen do të ketë sukses në secilën punë që i besohet”.
S’ua merr mendja juve, por letra e referencës është rrenë, CV-ja e Valon Prebrezës është rren. E pabesueshme e di, por kur kontaktuam me vetë zotëri Abdurrahim Hasanin, pronarin e kompanisë, ai na tha se jo vetëm që Valon Prebreza kurrë s’ka punuar në kompaninë e tij, por ai as që e ka parë ndonjëherë këtë njeri.
Ja dëgjojeni të plotë komunikimin tonë me zotëri Abdurrahimin.
Pra, siç kuptohet, Valon Prebreza kurrë nuk ka punuar në këtë kompani, por vëllai i tij, Ariani. Ky i njëjti që më ka bërë padi mua, si avokat i vëllait, kishe për shpifje. E kuptoni pra çfarë duhet të ketë ndodhur. Valon Prebrezës i është dashur një vend pune paraprak dhe e ka mashtruar CV-në, e ka falsifikuar letrën e referencës nga puna e vëllait të tij dhe ka lënë një numër të dikujt të vetit.
Kjo nuk është veç thellësisht e pamoralshme, por edhe jo ligjore. Paraqitja e rrejshme dhe falsifikimi i dokumenteve të prezantimit dënohet me ligj.
Por, i njëjti sot është në garë serioze për të udhëhequr me një nga komunat më të rëndësishme në Kosovë, atë të Fushë Kosovës. Pra njeriu që prodhon edhe këso lloj mashtrimesh, në Kosovën e vitit 2025 ka shanca reale t’i lihet në dorë një komunë e tërë për të zhvilluar krim të paskajshëm.
Veç paramendojeni, një mendje e tillë se çfarë mashtrimesh do të ekzekutojë, kur t’i lihen mekanizma pushteti në dorë.
E di po ashtu, që një numri qytetarësh tashmë ka mundësi s’iu bën fare përshtypje. Ata që shpresëhumbur e barkëzbrazur ky mashtrues i ka gënjyer me një rrogë diku, me një ndihmë diku tjetër. Sepse njerëzit e tillë si ky Prebreza eksploatojnë deri në pabesi në thellësitë e fatkeqësisë njerëzore.
Po unë këtu i drejtohem shumicës. Në momentin që votohet dikush si ky, aty automatikisht humbet çdo e drejtë për t’u ankuar më pas në qiftin e tij.
Ky mashtrues ekstrem, votën tuaj e merr si pasaportë, si lejekalim për shfrenim total të pasioneve të tij më perverse, për t’u dalldisur në keqbërje që nuk ka fund, që nuk ka karar, që nuk ka limit.
Po, vendoseni vetë.








