Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur një fushatë të gjerë për të çmontuar kërcënimin që Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) paraqet ndaj sovranitetit të SHBA-së.

Në një njoftim të Departamentit të Shtetit thuhet se kjo fushatë do të përfshijë një reagim të koordinuar të të gjithë qeverisë amerikane për të dobësuar në mënyrë sistematike aftësinë e ICC-së për të funksionuar, për të synuar ushtarakët ose zyrtarët amerikanë, apo për të kërcënuar në ndonjë mënyrë tjetër sovranitetin amerikan.

“ICC-ja paraqet një kërcënim të papranueshëm ndaj sovranitetit të SHBA-së – ajo pretendon se ka autoritetin për të ndjekur penalisht dhe madje për të burgosur ushtarakë dhe zyrtarë amerikanë që veprojnë në shërbim të interesit kombëtar të Amerikës”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.

Aty theksohet se amerikanët nuk kanë pranuar kurrë një gjë të tillë dhe të gjithë presidentët amerikanë që nga ratifikimi i Statutit të ICC-së kanë mbajtur qëndrimin se kjo gjykatë nuk ka juridiksion mbi shtetasit amerikanë.

“Më parë, ICC-ja hapi një hetim ndaj ushtarakëve dhe oficerëve të inteligjencës amerikane dhe që atëherë ka refuzuar t’i mbyllë këto raste”, thuhet në deklaratë.

Sipas Departamentit të Shtetit, ICC-ja tani synon të shndërrohet në arbitrin global pa llogaridhënie.

“Asnjë opsion diplomatik nuk do të përjashtohet në fushatën për të çmontuar kërcënimin që ICC-ja paraqet ndaj amerikanëve”.

Departamenti ka bërë me dije edhe hapat që do të ndërmarrë në këtë fushatë:

  • Thirrje dhe kontakte diplomatike nga Sekretari i Shtetit, zëvendëssekretari, ambasadorët dhe anëtarë të tjerë të udhëheqjes së lartë me shtetet e huaja, duke theksuar abuzimet e ICC-së dhe rreziqet që ajo paraqet për amerikanët dhe vendet e tjera, si dhe duke u kërkuar atyre të tërhiqen nga ICC-ja.
  • Shtetet që bashkëpunojnë me forcat amerikane të zbatimit të ligjit dhe ushtrinë amerikane, ose që përfitojnë nga ombrella e sigurisë së SHBA-së, u kërkohet të refuzojnë autoritetin e pretenduar të ICC-së për të ndjekur penalisht zyrtarë dhe ushtarakë amerikanë.
  • Rritje të vëmendjes dhe kontrollit ndaj shteteve që refuzojnë ta hedhin poshtë autoritetin e rremë të ICC-së, ndërsa vazhdojnë të mbështeten te ndihma amerikane.
  • Kontakte diplomatike për t’u kërkuar shteteve të tjera që, ashtu si Amerika, nuk janë palë në Statutin e Romës, të përdorin rrjetet e tyre diplomatike për të ndërmarrë veprime të ngjashme së bashku me SHBA-në.
  • Revokim vizash dhe ndalime udhëtimi për personelin e ICC-së.
  • Rritje të sanksioneve ndaj ICC-së dhe organizatave të lidhura me të.

Fushata e re nuk është akti i parë që SHBA-të ndërmarrin në raport me ICC-në.

11 gjyqtarë dhe prokurorë të Gjykatës Penale Ndërkombëtare janë sanksionuar më herët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në mesin e tyre është edhe Nicolas Guillou, gjyqtari paraprak që kishte konfirmuar aktakuzën kundër krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.

Guillou, për gazetën franceze “Le Monde”, kishte folur për ndikimin e këtyre masave në punën dhe jetën e tij të përditshme.

“Ato ndalojnë çdo person ose entitet amerikan, çdo individ ose kompani, si dhe degët e tyre të huaja, të më ofrojnë shërbime. Të gjitha llogaritë e mia me kompanitë amerikane, si Amazon, Airbnb, PayPal etj., janë mbyllur. Për shembull, bëra një rezervim në Expedia për një hotel në Francë dhe, disa orë më vonë, mora një email nga kompania që anulonte rezervimin tim, duke përmendur këto sanksione. Në praktikë, nuk mund të bësh më biznes online sepse nuk e di nëse paketa që përmban produktin tënd është amerikane. Të jesh nën sanksione është si të të kthejnë në vitet 1990”, thotë ai për gazetën prestigjioze franceze.

Për Guillou-n, “makthi” nuk përfundon këtu. Ai është në listën e zezë edhe të kompanive bankare, shumica prej të cilave që funksionojnë me sisteme ndërkombëtare janë nga SHBA-të.

“Në këtë fushë, sanksionet marrin një aspekt edhe më ndërhyrës. Disa banka, edhe nëse nuk janë amerikane, mbyllin llogaritë e individëve të sanksionuar. Çdo transaksion bankar i bërë me një individ ose entitet amerikan, ose i kryer në dollarë, ose duke përdorur një monedhë që përdor dollarin për konvertim, është i ndaluar. Në praktikë, ju jeni në listën e zezë nga bankat në një pjesë të madhe të botës. Për më tepër, të gjitha sistemet e pagesave janë amerikane: American Express, Visa, Mastercard. Brenda natës, ju e gjeni veten pa një kartë bankare, dhe këto kompani kanë një monopol pothuajse të plotë, të paktën në Evropë. Të gjitha kompanitë amerikane janë mobilizuar për të frikësuar individët e sanksionuar, që në këtë rast do të thotë gjyqtarët dhe prokurorët që punojnë për të mbështetur drejtësinë në konfliktet e armatosura bashkëkohore. Dhe është e rëndësishme të dihet se këto masa mund të mbahen për më shumë se një dekadë, ose edhe më gjatë. Vendosja e njerëzve nën sanksione i zhyt ata në një gjendje ankthi dhe pafuqie të vazhdueshme, me qëllim dekurajimin e tyre”, shtonte ai.

Pak a shumë me të njëjtat përballet edhe një kolege e tij.

“Sanksionet kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë një ndikim real në jetën time. Si persona të sanksionuar, ne dhe anëtarët e familjes sonë jemi të ndaluar të udhëtojmë në Shtetet e Bashkuara. Kolegët e mi [në ICC] me pasuri në SHBA kanë parë që ato pasuri t’u ngrihen. Si person i sanksionuar, unë nuk kam më qasje në produkte dhe shërbime amerikane, madje as në Evropë. Apple ID-ja ime, iCloud, Amazon, Airbnb, PayPal dhe llogari të tjera janë bllokuar ose anuluar të gjitha. Këto anulime ndodhën brenda natës, pa paralajmërim paraprak”, thotë Beti Hohler, gjyqtare në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

ICC-ja u themelua në vitin 2002 nga komuniteti ndërkombëtar për të ndjekur penalisht krimet e luftës, gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit. Selia zyrtare e saj është në Hagë.

Ajo ushtron juridiksion vetëm nëse një shtet anëtar nuk është në gjendje ose nuk dëshiron t’i ndjekë vetë penalisht krimet e rënda. Shtetet e Bashkuara nuk kanë qenë kurrë anëtare të kësaj gjykate. Megjithatë, raporton Reuters, Statuti i ICC-së i jep asaj kompetencën për të ndjekur penalisht krimet e rënda të kryera në territorin e shteteve anëtare nga shtetas të vendeve që nuk janë anëtare.