Ndonëse është një ndër proceset me të gjata gjyqësore në histori për krime lufte, Gjykatës Speciale i është dukur pak, pasi që Paneli i Gjyqtarëve e ka shtyrë edhe për dy muaj shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në arsyetimin e kësaj shtyrje, ata kanë thënë se iu nevojitet edhe 60 ditë, nga 90 fillestaret, për të siguruar një vlerësim të drejtë.

“Për të siguruar një vlerësim të plotë dhe të drejtë të materialit provues dhe për të dhënë një vendim të arsyetuar që pasqyron vëllimin e konsiderueshëm të provave dhe kompleksitetin e procedurave, Trupi Gjykues konstaton se rrethanat e çështjes kërkojnë kohë shtesë, përkatësisht 60 ditë, për shpalljen e Aktgjykimit”, thuhet në shkresën e lëshuar nga Trupi Gjykues.

Madje, Trupi Gjykues është shprehur i bindur se shtyrja për 60 ditë e shpalljes së aktgjykimit nuk do t’i dëmtojë të akuzuarit.

“Trupi Gjykues pranon se, në përputhje me nenin 21(4)(d), të akuzuarit kanë të drejtë të gjykohen brenda një kohe të arsyeshme. Ai është i vetëdijshëm për kohën që të akuzuarit kanë kaluar tashmë në paraburgim dhe për nevojën që procedurat të zhvillohen sa më shpejt të jetë e mundur”.

“Megjithatë, në dritën e rrethanave të çështjes, Trupi Gjykues është i bindur se një shtyrje prej 60 ditësh nuk do t’i dëmtojë të akuzuarit”.

Kjo shtyrje, thonë ata, “arsyetohet nga nevoja për të siguruar një vlerësim të drejtë, gjithëpërfshirës dhe të arsyetuar të materialit provues, si dhe nga kërkesa për një vendim të arsyetuar me shkrim që pasqyron saktë këtë material”.

“Në dritën e sa më sipër, Trupi Gjykues konstaton se rrethanat e çështjes kërkojnë një shtyrje prej 60 ditësh dhe e shtyn afatin për shpalljen e Aktgjykimit të Shkallës së Parë deri të hënën, 20 korrik 2026”, potencohet tutje.

Kjo, sipas shkresës, sepse Trupi Gjykues gjatë zhvillimit të proceduarave, ka pranuar dëshmitë e rreth 270 dëshmitarëve (gojarisht dhe me shkrim) dhe ka administruar 5 mijë e 497 prova materiale. “Transkripti i këtyre procedurave përmban 29 mijë e 238 faqe”, thonë ata.

“Trupi Gjykues vëren më tej kompleksitetin e procedurave në këtë çështje. Në veçanti, faktet e çështjes mbulojnë më shumë se një vit e gjysmë dhe përfshijnë një numër të madh vendndodhjesh të pretenduara të krimeve”.

Ata kanë paralajmëruar se mund të ketë edhe shtyrje tjetër.

“Nëse një shtyrje e mëtejshme rezulton absolutisht e domosdoshme, Trupi Gjykues do të nxjerrë një urdhër përkatës në kohën e duhur”.

Krerët e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, ndodhen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga 5 nëntori i 2020-së.