Paneli i Trupit Gjykues në Hagë ka kërkuar 60 ditë kohë shtesë për shpalljen e aktgjykimit në rastin kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Kjo nënkupton që nëse kjo periudhë kohore konsumohet nga gjykatësit, vendimi pritet të jepet deri më 20 korrik të vitit 2026, mësojnë burimet e VOX Kosova.

Gjyqtarët vendimmarrës kishin kohë deri më 19 maj 2026 të publikonin verdiktin, bazuar në afatin 90 ditor sipas rregullave të Gjykatës Speciale.

Por, sipas legjislacionit në fuqi të Dhomave të Specializuara, nëse gjyqtarët kanë nevojë për kohë shtesë, mund ta shtyjnë dhënien e vendimit edhe për 60 ditë të tjera.

Madje, në Rregulloren e Procedurave, në pikën 159, lejohet një shtyrje edhe përtej këtij 60 ditëshit tjetër.

“Vendimi i Gjykimit do të shpallet brenda nëntëdhjetë (90) ditëve nga përfundimi i çështjes në përputhje me Rregullën 136 dhe mund të përfshijë një vendim sipas Nenit 22(7) të Ligjit. Kur rrethanat e çështjes kërkojnë kohë shtesë, ajo nuk duhet të tejkalojë gjashtëdhjetë (60) ditë, përveç rasteve kur një zgjatje e mëtejshme është absolutisht e nevojshme. Vendimi për zgjatjen do të jetë publik dhe do t’u njoftohet Palëve dhe Përfaqësuesit të Viktimave. Arsyet për zgjatjen duhet të jepen”, thuhet në rregullore.

Avokatët mbrojtës të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, përfunduan më 12 dhjetor paraqitjen e provave të tyre. Fjalët përfundimtare të palëve u dhanë nga 9 deri më 18 shkurt prej ku filloi të rrjedhë afati ligjor për vendimin final.