Partia Demokratike e Kosovës, pas dështimit të seancës për Presidentin, ka thënë se është mbrojtur Republika dhe se tani është radha e qytetarëve.

Të martën ishte afati i fundit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit. Seanca dështoi për shkak të mungesës së kuorumit dhe kështu vendi shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

Në këtë drejtim, nga PDK kanë theksuar se me përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit “është shmangur një ndër shkeljet më të rënda të Kushtetutës dhe një tentativë e rrezikshme për demokracinë tonë”.

“Përpjekjet për të imponuar një proces të njëanshëm dhe jashtë kornizës kushtetuese dështuan. Institucionet e Republikës dhe rendi kushtetues u mbrojtën”, potencuan ata.

Nga partia më e madhe opozitare pohuan se pushteti aktual, Lëvzija Vetëvendosje, mban përgjegjësinë kryesore për krizën e krijuar, “si shkaktar i krizave të njëpasnjëshme politike, i keqqeverisjes, i krizave ekonomike, i shpërdorimit të besimit të qytetarëve dhe i abstenimit nga përgjegjësitë ndaj shtetit dhe qytetarëve”.

“Në përputhje me Kushtetutën, vendi hyn tani në një proces të ri zgjedhor. PDK kërkon nga Ushtruesja e Detyrës së Presidentes që të caktojë datën e zgjedhjeve brenda afateve kushtetuese, duke garantuar një proces të rregullt, të lirë dhe demokratik”, thuhet në reagimin e PDK-së.

PDK ka ftuar qytetarët e Kosovës që të jenë të gatshëm për këtë proces të rëndësishëm demokratik dhe “përmes votës së tyre të refuzojnë logjikën e përçarjes, bllokadës dhe aventurave institucionale”.

“Kosova ka nevojë për një drejtim të ri, për stabilitet, përgjegjësi dhe zhvillim. Ka nevojë për institucione që funksionojnë dhe për një qeverisje që respekton Kushtetutën, jo që përpiqet ta mbizotërojë atë”.