Kuvendi i Kosovës ka dështuar që ta zgjedh Presidentin dhe kështu vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditëve. Data e fundit kur mund të mbahen zgjedhjet është 7 (shtatë) qershori.
Seanca për zgjedhjen e Presidentit që nisi në ora 23:00, dështoi për shkak të mungesës së kuorumit. Në sallë ishin vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të komuniteteve jo shumicë serb.
Fillimisht, seanca për të zgjedhur të parin e shtetin u mbajt në mbrëmjen e së hënës. U propozuan dy kandidate nga VV-ja: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.
Edhe pse nuk kishte kuorum, pra nuk ishin në sallë 80 deputetë, ashtu siç e kërkon Kushtetuta, u mbaj një raund i votimit në të cilin Rushiti mori 63 vota. Pas numërimit të votave, Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e shtyu seancën për të martën.
Opozita – Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – reagoi ashpër ndaj këtij veprimi, duke e cilësuar si “përmbysje të rendit kushtetues”.
Të martën u mbajtën disa seanca për Presidentin, fillimisht në ora 10:00, pastaj në ora 14:00, sërish në ora 19:00. Të gjitha u shtynë për shkak të mungesës së kuorumit. E fundit u mbajt në ora 23:00, në të cilën përfundimisht u qartësua se nuk ka kuorum për zgjedhjen e Presidentit dhe Kosova shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Vetëvendosja ka akuzuar opozitën për bllokadën për Presidentin, ndërsa opozita e ka akuzuar pushtetin, përkatësisht Kryeministrin Albin Kurti, se nuk ka qenë i interesuar për ta zgjidhur këtë çështje dhe ka dashur ta çojë vendin në zgjedhje të reja.
Saga e Presidentit ka filluar qysh në mars. Pasi që refuzuan që ta propozojnë Vjosa Osmanin, Vetëvendosja kishte propozuar fillimisht dy kandidatë: Ministrin e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufcën dhe deputeten Fatmire Kollçaku. Seanca e 5 marsit kishte dështuar për shkak të mungesës së kuorumit.
Një ditë më pas, Vjosa Osmani, në atë kohë Presidente, kishte shpërndarë Kuvendin. Këtë e kishte kundërshtuar VV-ja dhe lideri i saj Kurti. Ata e kishin dërguar dekretin e saj në Gjykatën Kushtetuese.
Kushtetuesja kishte vendosur se dekreti i Osmanit nuk ka efekt juridik dhe u kishte dhënë kohë deputetëve 34 ditë që ta zgjedhin Presidentin (afat që përfundoi sot, e martë, 28 prill).
Pas kësaj, kishin filluar sërish takimet e Kurtit me liderët e partive opozitare, por pa sukses.
Kurti i kishte ofruar LDK-së zëvendëskryeministrin dhe katër ministri ose Kryetarin e Kuvendit, ndërsa PDK-së, Kryetarin e Kuvendit. Por, PDK-ja dhe LDK-ja i refuzuan këto oferta, duke thënë se ata kanë qenë të interesuar të diskutojnë për Presidentin e jo për çështje të tjera.
Pasi që nuk arriti marrëveshje, Kurti filloi sulmet dhe talljet me opozitën. Por, iu kthye ofertave sërish. Të shtunën e 25 prillit, kërkoi nga opozita tre emra të kandidatëve për President jashtë skenës politike.
Nga LDK e propozuan Vjosa Osmanin, por kërkuan që VV-ja dhe koalicioni qeverisës t’ua sigurojë votat e tyre. Kjo ofertë nuk u pranua nga VV, madje Kurti aludoi se Osmani është kandidate partiake.
Nga ana tjetër, PDK e refuzoi ofertën e VV-së, duke thënë se kjo është manovër e Kurtit dhe se për ta çështja e Presidentit është e mbyllur.
Kosova që nga 4 prilli, kur i përfundoi mandati 5 vjeçar Osmanit, është me ushtruese të detyrës së Presidentes. Në këtë pozitë është Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ashtu siç e parasheh Kushtetuta.









