Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se ka autorizuar Policinë e Kosovës që në Komunën e Malishevës të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të hetuar manipulimin e votave të kandidatëve për deputetë.

Ky veprim vjen pasi që në procesin e rinumërimit të votave, rezultoi se edhe në Malishevë, përveç në Prizren, ka pasur manipulim të votave.

“Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka autorizuar Policinë e Kosovës, që në Komunën e Malishevës, të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, duke përfshirë identifikimin e personave përgjegjës, grumbullimin e informatave dhe sigurimin e provave relevante, të cilat lidhen me dyshimet për manipulim të votave për kandidatë për deputet të Kuvendit të Kosovës”, thuhet në njoftimin Prokurorisë.

Nga Prokuroria Themelore në Gjakovë kanë theksuar se mbeten të angazhuar në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe “të trajtojë çdo rast të dyshuar, me synimin e ruajtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit”.