Kryeprokurori i Prokurorisë së Prizrenit, Petrit Kryeziu, ka bërë me dije se në aksionin që u zhvillua të premten në Prizren në lidhje me manipulimet e votave të kandidatëve për deputetë janë ndaluar 109 persona.
“Sot katër prokurorët e departamentit të krimeve të rënda janë marrë me procese dhe kanë dalë edhe në stacione policore dhe kanë lëshuar 109 vendime për ndalim. Pra, deri në momentin që po flasim i kemi 109 të ndaluar për vepra penale të falsifikimit të rezultateve zgjedhore, për presion e kanosje, dhënie e marrje të ryshfetit”, tha Kryeziu në një konferencë për media.
Ai theksoi se sot kanë pasur situata kur kanë fituar dëshmitar bashkëpunues. “Kemi pasur situata edhe kur na kanë treguar edhe si kanë ardhur presionet edhe kemi pasur situata që kanë treguar se kush ka marrë dhe nga kush ka marrë ryshfet”.
Duke folur për procesin e manipulimit të votave, ai theksoi se do të ishte e pamundur që të ndryshoheshin gjithë këto vota po të mos kishte kompromis të të gjithë atyre të deleguar nga katër partitë më të mëdha politike në Kosovë.
“Duhet ta dinë nga ky moment, nga kjo datë që kushdo që guxon t’i fut duart në vullnetin e qytetarëve do të ballafaqohet me forcën e ligjit, njëjtë siç janë duke u ballafaquar sot një pjesë e madhe e siç do të ballafaqohen shumë të tjerë, sepse nuk mbaron me këtë numër të sotshëm”.








