Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, nuk i ka pëlqyer pyetja e VOX Kosova kur është pyetur nëse i ka shërbyer Lëvizjes Vetëvendosje duke ia dhënë mandatarin për kryeministër Glauk Konjufcës, edhe pse partia e tij nuk kishte garantuar se i kishte numrat për të formuar Qeverinë.

“Jam e bindur se një burri nuk do t’ia kishit bërë një pyetje të tillë. Ju nuk i thoni një burri se po vepron pa vetëdije. Kjo lloj pyetjeje i drejtohet zakonisht një gruaje. Vendimin e kam marrë me vetëdije të plotë dhe me besim se është në interes të Republikës së Kosovës”, tha Osmani gjatë një konference për media.

Sa i përket datës së zgjedhjeve, Osmani u përgjigj se të gjitha partitë politike janë shprehur publikisht se nuk janë kundër pjesëmarrjes së mërgatës, prandaj paragjykimi se ajo favorizon një parti të caktuar sipas saj “nuk qëndron”.

“Pse po paragjykoni se mërgata është vetëm në favor të një partie? Këto janë zgjedhje të reja dhe partitë vetë kanë deklaruar se nuk janë kundër pjesëmarrjes së tyre. Sipas ligjit të miratuar nga vetë partitë politike, mërgata ka të drejtë të barabartë vote me qytetarët që jetojnë në Kosovë. Është një e drejtë e garantuar, të cilën unë do ta mbroj”, shtoi e para e shtetit.