Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur vendimin e Presidentes, Vjosa Osmani, që më 28 dhjetor të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare, datë që ishte propozuar edhe nga partia e Kurtit, Vetëvendosje.

“Dita e zgjedhjeve është festë e demokracisë. Ajo bëhet edhe më madhështore kur ka pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve tanë me të drejtë vote. Në të njëjtën kohë, duhet të sigurohemi që institucionet shtetërore kanë kohën e mjaftueshme për të bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që procesi zgjedhor të jetë i rregullt, i drejtë dhe demokratik”, shkroi Kurti në Facebook.

Andaj, Kurti tha se “ne e mirëpresim caktimin e datës 28 dhjetor nga Presidentja Osmani, si datën më të përshtatshme për zgjedhjet e parakohshme që po na presim”.

Në një konferencë për media të enjten, Osmani bëri me dije se ka caktuar 28 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Këtë vendim, Osmani e mori pas takimit që pati me partitë politike. Ish-opozita: PDK, LDK dhe AAK thanë se kanë propozuar që zgjedhjet të mbahen më 21 dhjetor, ndërsa VV-ja propozoi 28 dhjetorin, datë që u zgjedh nga Osmani.