Gjykata Supreme ka refuzuar ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës për votat me postë të dërguara nga mërgata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit duke e cilësuar ankesën e kësaj partie si të “pathemeltë”.

“Refuzohet si e pabazuar ankesa e PDK-së, e paraqitur kundër vendimit të PZAP-së – Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e parashtruar nga subjekti politik: Partia Demokratike e Kosovës (PDK), të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Gjykata Supreme e Kosovës e vlerësoi ligjshmërinë e vendimit të kontestuar, dhe pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, gjeti se ankesa është e pathemeltë”, thuhet në vendimin e Supremës.

Sipas Supremes, nisur nga gjendja faktike dhe ligjore e çështjes, e pranon në tërësi si të drejtë dhe të bazuar qëndrimin juridik të PZAP-së, me të cilin e ka hedhë poshtë si të pas-afatshme ankesën e PDK-së.

“Gjykata Supreme vlerëson se afatet ligjore janë garanci për palën ankuese dhe detyrim për organet përgjegjëse për shqyrtimin e ankesave brenda afatit kohor, ndërsa veçanërisht afatshmëria e ankesave në procesin zgjedhor është jetike për t’u përmbyllur si i tillë dhe të mos ketë prolongime kohore”.

Ankesë për votat me postë ka bërë edhe kandidati i PDK-së për deputet, Bekim Haxhiu. Por, më 12 janar, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e pati hedhur poshtë si të pasafatshme ankesën e tij.

Në ankesën e tij, Haxhiu, i cili nuk siguroi ulësen në Kuvend për shkak të kuotës gjinore, ndonëse ishte në 20 më të votuarit, kishte thënë se afati i fundit për pranimin e votave me postë ishte 29 dhjetori dhe shtoi se KQZ-ja ka pranuar 23 mijë fletëvotime me postë pas këtij afati. Ai kishte theksuar se kjo përbën një shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit.