Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka hedhur poshtë si të pasafatshme ankesën e kandidatit për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, i cili kishte kërkuar që të anulohen votat me postë pas datës 29 dhjetor, përfshirë ato të pranuara më 2 dhe 5 janar.

“Hedhet e pasafatshme ankesa ZP.Anr.73/2026, e datës 11.01.2026, e parashtruar nga Bekim Haxhiu kandidat për deputet nga subjekti politik Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me seli në Prishtinë, me të cilën ka kërkuar që të urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) që të anuloj të gjitha fletëvotimet të pranuara me postë pas datë 29.12.2025 dhe të përjashtoj nga numërimi të gjitha fletëvotimet të pranuara pas këtij afati përfshirë ato të pranuara me 02.01.2026 dhe 05.01.2026, për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvend të Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 Dhjetor 2025”, thuhet në vendimin e PZAP-së.

Në ankesën e tij, Haxhiu, i cili nuk siguroi ulësen në Kuvend për shkak të kuotës gjinore, ndonëse ishte në 20 më të votuarit, kishte thënë se afati i fundit për pranimin e votave me postë ishte 29 dhjetori dhe shtoi se KQZ-ja ka pranuar 23 mijë fletëvotime me postë pas këtij afati. Ai kishte theksuar se kjo përbën një shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit.

Ndërsa, PZAP ka argumentuar se është kaluar afati 48 orësh nga shkeljet që i ka pretenduar Haxhiu.