Gjykata e Apelit në Tiranë i ka dhënë të drejtë biznesmenit Valon Ademi që ta administrojë Aeroportin e Vlorës, duke lënë kështu në fuqi vendimin e shkallës së parë.
Në bazë të këtij vendimi, Behgjet Pacolli përjashtohet nga vendimmarrja, ndërsa Ademit i mbetet administrimi i Aeroportit të Vlorës.
Vendimi është marrë të enjten (sot).
Ademi kishte dorëzuar kallëzim penal ndaj Pacollit në organet e drejtësisë në Shqipëri muaj më parë.
Ndryshe, Behgjet Pacolli, bashkë me të vëllain e tij Emin Pacolli dhe administratorin e kompanisë së tyre në Shqipëri, Nelson Çela, po hetohen nga Prokuroria e Tiranës për “mashtrim me pasoja të rënda”, “mashtrim kompjuterik”, si dhe “falsifikim të dokumenteve”.
Dyshimet e Prokurorisë janë se Pacolli në mënyrë të fshehtë dhe të kundërligjshme, pasi ka mashtruar partnerin e tij fillimisht, më pas e ka bartur aeroportin e Vlorës në pronësi të një kompanie, përmes një kontrate që praktikisht ua merr fuqinë vendimmarrëse aksionarëve dhe e kalon atë te kompania.









