A i keni pa këto lajme për Behgjet Pacollin në mediat e Shqipërisë?
Çështja është kështu: Mediat në Shqipëri kanë njoftuar se Behgjet Pacolli, bashkë me të vëllain e tij Emin Pacolli dhe administratorin e kompanisë së tyre në Shqipëri, Nelson Çela, po hetohen nga Prokuroria e Tiranës për “mashtrim me pasoja të rënda”, “mashtrim kompjuterik”, si dhe “falsifikim të dokumenteve”.
Dyshimet e Prokurorisë janë se Pacolli në mënyrë të fshehtë dhe të kundërligjshme, pasi ka mashtruar partnerin e tij fillimisht, më pas e ka bartur aeroportin e Vlorës në pronësi të një kompanie, përmes një kontrate që praktikisht ua merr fuqinë vendimmarrëse aksionarëve dhe e kalon atë te kompania.
Dyshimet janë, se kompania është një guackë, me lidhje që përfundimisht çojnë në Rusi.
Historia është kjo: Në tetor të vitit 2021, Behgjet Pacolli kishte marrë në partneritet publiko privat me kompaninë MABCO një pjesë të aksioneve të Aeroportit të Vlorës bashkë me kompaninë 2a Gropu në pronësi të Valon Ademit.
Pacolli kishte 51 për qind të aksioneve dhe pronësi të një pjese të aeroportit për 35 vjetët e ardhshme. Por, derisa partneri i Pacollit kryente investimet në pjesën e tij për funksionalizimin e Aeroportit, kompania e Pacollit kishte ngecur krejtësisht me punime dhe nuk po kryente investimet që i takonin.
Pikërisht në këtë kohë, dyshohet se Pacolli ka bërë një kontratë të dyshimtë, ku aksionet e tij dhe të partnerit të tij (pa dijeninë e partnerit) ia kishte shitur një kompanie offshore guackë me emrin Compartment Bernina, e cila përfundimisht del të jetë me lidhje ruse. Kontrata, të cilën e ka parë VOX Kosova, është një kamuflim i shitjeve të aksioneve dhe kalim i plotë i pronësisë së aeroportit të kjo kompani.
Megjithatë, për ta mbajtur situatën të fshehur në publik, Pacolli vazhdon të qëndrojë formalisht me kompaninë e tij në aeroport dhe fillon investimet e pjesës së tij. Kurse për të fshehur prejardhjen e parave që tash investoheshin në aeroport, ato fillimisht vinin në Kosovë në kompaninë e posahapur të Pacollit dhe më pas nga Kosova investoheshin nga kompanitë e Pacollit në aeroport. Këto para me gjasë ruse futeshin në Shqipëri nga Kosova dhe kështu supozohej të mbahej e fshehur kontrata e dyshimtë e Pacollit.
E quajtur “Facility Agreement”, ndonëse e paraqitur në formë të një marrëveshjeje huaje midis kompanisë së Pacollit “Mabco Constructions S.A.” dhe kompanisë ofshore, kontrata në substancë nuk përmban karakteristikat e një huaje klasike bankare. Elementet kontraktore dhe struktura e saj tregojnë se objektivi real nuk është thjesht financimi i projektit, por marrja e kontrollit ekonomik dhe operacional mbi aeroportin përmes instrumenteve të borxhit. Hilja e kontratës është se ajo formalisht nuk parashikon transferim kuotash ose ndryshim pronësie. Në pamje të parë, aksionarët mbeten të njëjtët dhe dokumenti duket si një marrëveshje financimi. Kjo maskë formale është vendosur për ta paraqitur marrëveshjen si financim të zakonshëm dhe jo si ndryshim pronësie apo shitje, pikërisht për ta mbajtur të fshehur involvimin rus në skemë.
Por, në esencë, huadhënësi merr të gjitha elementet e kontrollit që zakonisht i përkasin aksionarëve apo administratorëve. Siç tregon kontrata, kompania merr “kontroll mbi të ardhurat dhe llogaritë: të gjitha të ardhurat e aeroportit (receivables)”.
Po ashtu, të gjitha llogaritë bankare (Project Accounts) janë të vendosura nën barrë në favor të huadhënësit, i cili përcakton mënyrën e përdorimit të tyre. Kompania ruse ka edhe veto mbi vendimmarrjen, pasi çdo ndryshim i dokumenteve statutore ose i kontratës koncesionare kërkon miratimin e huadhënësit, duke i dhënë atij kompetenca të barabarta me një aksionar kontrollues. “Ngjarje default-i të zgjeruara: lista e gjerë e shkaqeve të default-it (ndryshim kontrolli, vonesa, mosmarrëveshje me autoritetet, pezullim i punimeve, etj.) i jep huadhënësit mundësinë të marrë kontroll praktikisht në çdo moment”, sipas kontratës.
Gjithashtu, kur shikohet pamundësia e parapagimit: ndalimi i parapagimit për 5 vitet e para dhe penalitetet pas këtij afati e bëjnë marrëveshjen të pashmangshme dhe e lidhin shoqërinë koncesionare në mënyrë të pakthyeshme. Dhe përfundimisht, mekanizmi i “Accession Letter” që e ka kontrata e kthen vetë shoqërinë koncesionare në huamarrëse, duke e ngarkuar me detyrimet e huasë që fillimisht ishte në emër të aksionarit.
Këto elemente të kombinuara të kontratës prodhojnë një rezultat të qartë, ku shoqëria koncesionare humbet pavarësinë financiare dhe vendimmarrëse dhe huadhënësi fiton kontroll ekonomik mbi të gjitha flukset financiare të projektit, duke lënë aksionarët vetëm me rol formal, derisa pushteti real kalon tek kreditori.
Si përfundim, ky instrument juridik arrin të njëjtin efekt si shitja e aksioneve, por pa një kontratë shitjeje të hapur. Pra, kemi të bëjmë me një shitje të maskuar — një strukturë e ndërtuar posaçërisht për të transferuar kontrollin e aeroportit te huadhënësi, nën petkun e një marrëveshjeje huaj. Sipas dyshimeve, prokuroria, përveç pistës së hetimit me mashtrim me kontratë, po merret edhe me faktin se bëhet fjalë për një kompani të dyshimtë po ashtu, që merr pronësinë e një aeroporti në Shqipëri.








